Sekretari i Përgjithshëm i PD-së së drejtuar nga Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj, është takuar këtë të martë me Dashamir Shehin dhe Agron Dukën. Takimi vjen një ditë pas deklaratës së Berishës, i cili tha se jemi pranë bashkimit edhe me aleatët tradicionalë të PD. Në një kohë që ndarja mes Bashës dhe Berishës duket e pakthyeshme, tashmë secili prej tyre kërkon të maksimalizojë forcat opozitare rreth vetes. Sali Berisha tha një ditë më parë se përpjekja për bashkimin e grupit Parlamentar të PD ka nisur madje po bashkohen edhe me aleatët tradicionalë, ndërsa këtë të martë në krahun tjetër, Enkelejd Alibeaj që është sekretar i Përgjithshëm i grupimit të Bashës, ka zhvilluar gjithashtu dy takime, me kreun e LZHK Dashamir Shehi dhe atë të Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka. Diskutimi më vete me dy aleatët u zhvillua në një ambient privat fare pranë zyrave të reja të marra me qera nga PD e drejtuar nga Lulzim Basha. Fillimisht ishte Dashamir Shehi, i cili zhvilloi një takim që zgjati mbi 30 minuta, ndërkohë gjysmë ore pas Shehit, radha ishte e Agron Dukës.

Ky i fundit mori pjesë edhe në takimin që u zhvillua në kryesinë e kuvendit mes deputetëve të opozitës të PD-së së grupimit të Berishës dhe Bardhit. Burimet bëjnë me dije se një nga temat e diskutimit mes Shehit e Alibeajt ishte edhe vendimi i grupimit të Bashës për përjashtimin e deputetëve. Kujtojmë që në fund të gushtit, Shehi e Duka u takuan me Bashën, por sipas tyre takimi ishte për t’i kërkuar firmat mbështetëse për t’iu drejtuar Kuvendit me kërkesën për të ndryshuar sistemin zgjedhor.