Simone Inzaghi shfaqet i tërbuar pas barazimit që Interi regjistroi 2-2 kundër Bolognës në “San Siro”, i cili erdhi pas një ndeshjeje që mori shumë shpejt drejtimin zikaltër, pas avantazhit fillestar 2-0.
Tekniku zikaltër kritikoi jo pak të tijtë për mungesë përqendrimi, në të dy momentet, si në penalltinë që solli golin e parë për Bolognën, ashtu edhe në golin e barazimit të emilianëve.
“Është një barazim që na rri shumë ngushtë. E vramë shpejt ndeshjen dhe nuk duhej ta lejonim Bolognën të futej në lojë. Gabuan tre lojtarë në vendosje, në momentin e penalltisë së shkaktuar nga Lautaro dhe më pas një tjetër moment shpërqendrimi te goli i barazimit. Tani futbollistët do të ikin me përfaqësueset e tyre, por kur të kthehen, do të ndalemi gjatë te këto gabime”, tha Inzaghi.
Interi ka lënë 5 pikë në dy ndeshje radhazi në kampionat, megjithatë për Inzaghin nuk është momenti për të ndezur sinjalin e alarmit.
“Kjo e sotmja nuk kishte lidhje me ndeshjen ndaj Sassuolos, pasi ndaj Bolognës dhuruam dy gola për mungesë përqendrimi. Kur je në avantazh të dyfishtë, nuk mund të lejosh që kundërshtari të hyjë në lojë. Kemi lënë 5 pikë, por jemi me një tjetër ritëm nga viti i kaluar dhe nuk ka vend për alarm. Thjesht duhet të analizojmë gabimet dhe të rikthehemi”, tha tekniku i Interit.