Fitorja 0-3 kundër Torinos, shoqëruar me humbjen 0-1 të Milanit ndaj Juves, ka sjellë rikthimin e Interit në krye të Serie A. Zikaltrit janë fokusuar tashmë në Champions League. Të martën zbarkojnë austriakët e Salzburgut në “San Siro”, duel që fillon prej orës 18:45.

Trajneri i nënkampionëve të Europës, Simone Inzaghi u ndal tek ekipi i tij dhe ndryshimet që pritet të bëjë në formacionin titullar. “Salzburgu është një ekip që luan futboll të mirë, që ka një modul agresiv, edhe pse në ndeshjet parasezonale ata kishin një sistem tjetër. Janë një ekip që di të ndryshojë dhe që vertikalizon shumë.

Ende nuk e di nëse do të luajë nga minuta e parë, por ne i donim në skuadër Sanchez dhe Arnautovic. Nuk kemi vetëm Thuram dhe Lautaron në sulm. Formacioni? Kam disa dilema. Dje punova vetëm me ata që nuk luajtën ndaj Torinos. Grupi do të jetë sot i plotë, teksa dua të them se rotacioni duhet të jetë një vlerë e shtuar.

Lodhja fizike dhe mendore do të ndihen më shumë në vijim. Kam shumë lojtarë Kombëtaresh, të cilët kanë luajtur ndeshje të rëndësishme. Nuk kanë pushuar aspak.
Thuram e ndiqnim prej kohësh, Cilësitë e tij janë të padiskutueshme. Është e qartë se përfshirja në një ekip të ri, në një kampionat të ri, mund të çojë në njëfarë hezitimi për përshtatjen e tij. Por i ka larguar shpejt të gjitha dyshimet. Lautaro për Top të Artë? Po, për rrugëtimin e bërë dhe trofetë e fituar. Lautaro duhet të jetë atje në mbrëmjen e çmimeve. Unë mendoj se nuk do ta fitojë ai Topin e Artë, por duhet të vazhdojë kështu. Është në rrugën e duhur, ai ka bërë shumë mirë në dy vitet me mua. Pavard? Jemi të kënaqur, Benjamin është lojtari perfekt për stilin tonë të lojës. Jemi të lumtur për zgjedhjen e bërë duke e marrë në skuadër”, theksoi Inzaghi.