Eksperti i sigurisë Arben Çuko i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në Dritare Tv foli për luftën në Izrael. Zoti Çuko u shpreh se Izraeli nuk do të ndalojë deri sa ta rrafshojë Gazën.
“Deklaratat e Izraelit që thotë do t’i japin fund një herë e mirë Hamasit, bashkë me afrimin e trupave ushtarake dhe mobilizimin e 300 mijë rezervistëve, kam përshtypjen që ata do futen me ushtrinë tokësore me goditje bashkëqendrore. Edhe nga deti tashmë, sepse detin e kontrollojnë ata. Do futen të godasin për ta rrafshuar gjithë qytetin. Nuk mund të përparosh në atë ambient pa i rrafshuar të gjitha godinat. Nga ana ushtarake koncepti i fortifikimit në një qytet futet në konceptin e qendrës tepër të fortifikuar sepse në vetvete godina është qendër e fortifikuar. Këtu është gjithë çështja e tyre, fillimisht të shkatërrojnë godinat dhe të fusin ushtarët apo t’i marrin godinat një e nga një, pra ta rrafshojnë dhe të lëvizin përpara. E përdorën gjermanët në Stalingrad, e përdorën rusët në Berlin. Me shenjat e këtyre tre ditëve të para, izraelitët nuk do pyesin për të vdekur.“, u shpreh zoti Çuko në DritareTv./K.C/dritare.net