Kombëtarja Shqiptare e Futbollit po kalon një formë fantastike, ku ka fituar në 3 ndeshjet e fundit, përkatësisht, me Poloninë, Republikën Çeke dhe në miqësoren ndaj Bullgarisë.
Trajneri brazilian i kombëtares, Sylvinho thotë se kuqezinjtë përmbyllën një tjetër periudhë jashtëzakonisht pozitive stërvitjesh dhe ndeshjesh.
Sipas teknikut 49-vjeçar, rezultatet tregojnë se kombëtarja është në drejtimin e duhur dhe se kanë mbetur edhe dy ndeshje për të arritur kualifikimin në “EURO 2024”.
“Përmbyllëm një tjetër periudhë jashtëzakonisht pozitive stërvitjesh dhe ndeshjesh. Rezultatet e mira që morëm tregojnë se jemi në drejtimin e duhur dhe se së bashku jemi më të fortë. Dua të vlerësoj impenjimin dhe dedikimin e futbollistëve, stafit teknik, bashkëpuntorëve dhe stafit menaxherial. Ne gjithashtu kishim mbështetjen e madhe të fansave që na inkurajuan shumë dhe krijuan një atmosferë shumë të bukur gjatë ndeshjeve. Na kanë mbetur akoma dhe dy ndeshje dhe do të vazhdojmë t’i dedikojmë gjithmone e më shumë energji për të arritur objektivin tonë që është kualifikimi në Euro 2024. Forca Shqipëri!!”, shkruan Sylvinho në Instagram.