Një shqiptar që jeton në Çeki prej gati dy dekadash! Artur Maxhuni, ish-sulmuesi i Tiranës në vitet ’90, është nga ata që mund të tregojë më mirë se kushdo si e presin çekët ndeshjen ndaj Shqipërisë, por edhe se çfarë duhet të ketë kujdes më shumë skuadra kuqezi. 50-vjeçari i lindur në Kavajë, jeton prej kohësh në Pragë, ndërsa karrierën si futbollist e ka pasur më së shumti në Gjermani. Ekskluzivisht për “Panorama Sport”, Maxhuni tregoi disa detaje interesante lidhur me pragndeshjen Shqipëri-Çeki, por jo vetëm.
Artur, nga Tirana në Gjermani dhe më pas në Çeki. Na tregoni pak rrugëtimin tuaj?
Që prej vitit 1993 kam qenë në Gjermani, ku e nisa nga ligat amatore dhe më pas shkova në Bundesligën 2 me FSV Frankfurtin. Kam qenë çdo vit golashënuesi më i mirë, derisa i dogja etapat në moshën 25-vjeçare, ku provova thuajse çdo nivel. Luajta edhe për Vehen, që është afër Frankfurtit, por edhe në skuadra si St. Paul dhe Darmshtad. Këto kanë qenë stacionet e mia në Gjermani dhe pasi lashë futbollin i bëra të gjitha kurset e kualifikimit për trajner, edhe pse jeta më pas mori një drejtim tjetër.
Çfarë ndodhi që u zhvendosët në Pragë?
Ka qenë 15 vite më parë, kur bashkë me një mikun tim erdha në Pragë dhe hapa një biznes. Këtu krijova edhe familjen dhe u stabilizova, pasi nuk kisha asnjë arsye pse të lëvizja. Prej 25 vitesh jam nënshtetas gjerman, por për shkak të biznesit mbeta në Çeki, ku dhe i dhashë fund futbollit, duke u aktivizuar në disa ekipe të kategorive të ulëta. Për një periudhë 3-vjeçare stërvita një ekip amator këtu në Pragë, por puna që kam më mban të lidhur dhe e kisha të vështirë të vazhdoja trajningun. Megjithatë, sërish jam në kontakt të vazhdueshëm me menaxherë, trajnerë dhe shumë njerëz nga bota e sportit, qoftë të huaj, ashtu edhe shqiptarë. Edhe vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është miku im dhe u takuam kur Kombëtarja erdhi këtu në Pragë. Dua t’i bëj komplimente për punën që po bën. Kur kujtoj vitet kur unë kam qenë pjesë e Kombëtares, flas për 1998- ën, është si nata me ditën.
Të enjten luhet ShqipëriÇeki, një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja Kombëtaret. Si po e presin në Çeki?
Së pari, ndeshja që luajti Shqipëria në Pragë ishte një emocion i veçantë, por ajo që dua të theksoj është se këtu në Çeki ka pasur shumë zhgënjim për atë barazim, paçka se ne mund ta fitonim. E vërteta është që çekët janë një popull i ftohtë, por përshtypje më bëri fakti se na kishin nënvlerësuar në ndeshjen e parë dhe llogarisnin një fitore të pastër 2-0 dhe 3-0. Mirëpo, trajneri i tyre, Silhavi, me të cilin kam njohje, edhe pse i paralajmëroi për forcën e Shqipërisë, sërish nuk na mundën dot. Për t’u përgjigjur më konkretisht pyetjes tuaj, çekëve në këtë moment i ka hyrë frika. I kam lexuar edhe gazetat ditët e fundit dhe këtu e konsiderojnë si ndeshjen e jetës. Pas fitores që Shqipëria bëri me Poloninë, ka ndryshuar komplet mendimi që çekët kanë pasur për ne, pasi e provuan edhe vetë forcën tonë./Panorama Sport