Shqipëria mori një fitore të madhe në “Air Albania” duke mposhtur Çekinë me shifrat 3-0. Kuqezinjtë hedhin kështu një hap të sigurt drejt Euro 2024, verën e ardhshme në Gjermani.

Pas sfidës, kapiteni i çekëve, Tomas Soucek theksoi se kartoni i kuq “vrau” ndeshjen ndërsa shtoi se për çekët disfata ndaj Shqipërisë është nga ato që dhemb shumë.

“Humbëm, na vjen keq. Ne pësuam gol me gjuajtjen e parë në portë dhe ishte e vështirë që të kthehej. U gëzuam kur shënuam golin, por si përfundim mbetëm me 10, gjë që e “vrau” ndeshjen për ne. Në pjesën e dytë ne dhamë gjithçka në fushë, por përsëri ata gjetën gola me kundërsulme, na vjen të gjithëve keq se si përfundoi kjo ndeshje.

Kartoni i Kuq? Si kapiten shkova menjëherë te gjyqtari, ai më tha se u vendos nga VAR-i. Në fund na tha që ishte prekje e topit më dorë me qëllim, ndaj edhe erdhi i verdhi i dytë dhe i kuqi. Çdokush mund të thotë mendimin e tij për këtë rast, unë e them përsëri se ai ishte momenti që vrau ndeshjen tonë.

Ne po mundeshim dhe po përpiqeshim ta kthenim fatin e ndeshjes. Mund të ishte 1-1 dhe do të ishim në ndeshje. Ne e kontrolluam ndeshjen për një periudhë të gjatë, ata shënuan me një gol nga distanca. Është padyshim pjesë e ndeshjes, por nuk duhet t’i vëmë fajin për gjithçka atij kartoni të kuq. Mund të kishim shënuar gola të tjerë. Duhej të fitonim, të ishim më të qetë. Është ende ne duart tona. Tani jemi të detyruar të fitojmë tre pikët të dielën ndaj Ishujve Faroe.

A është kjo humbja më e rëndë në karrierë? Ka ndeshje të tjera si kjo, por nuk dua të shoh nga e kaluara. Padyshim që na dhemb, do të ishim shumë më afër Europianit, i cili është objekti ynë i qartë. Sidomos kur e ndjen që mund të kishim fituar këtu”, u shpreh Soucek.