Tre persona janë arrestuar dhe katër të tjerë janë në kërkim për krimin e blerjes së votës në zonën e Karditsës në Greqi.

Sipas informacioneve nga policia arrestimi është kryer pas një denoncimi, sipas të cilit tre të arrestuarit dhe një nga të kërkuarit kishin blerë 500 karta identiteti kundrejt tarifës 50 euro secila, me ndërmjetës që u jepnin këto para zgjedhësve të tyre, tre personat që janë shpallur në kërkim.
Nga kontrollet e kryera në banesa, janë gjetur dhe konfiskuar shënime të shkruara me dorë dhe shuma totale prej 25 950 euro.

Tre të arrestuarit që thuhet se janë kandidatë për këshillin bashkiak do të dërgohen në Prokurorinë Penale të Karditsës, ndërsa hetimet paraprake kryhen nga Seksioni i Sigurimit të Policisë së qytetit.
Bëhet fjalë për të njëjtin qytet ku edhe në zgjedhjet parlamentare të majit të kaluar u arrestuan 5 qytetarë romë me akuzën e blerjes së votave përkundrejt shumës prej 50 euro secilën, ndërsa posedonin 197 karta identiteti si dhe një çantë me dhjetëra fletëvotimi.