Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar seancën zyrtare stërvitore në stadiumin “Air Albania” para miqësores me Bullgarinë.
Pas konferencës zyrtare për mediat, skuadra ka dalë në fushën e stadiumit dhe ka zhvilluar fillimisht përgatitje atletike pa topin dhe më pas ka punuar më shumë me topin, teksa trajneri Sylvinho dhe stafi i tij ka provuar vendosje të ndryshme në fushë dhe ka provuar situata loje apo goditje në portë.
I gjithë grupi është stërvitur normalisht dhe nuk ka probleme fizike për asnjë nga lojtarët, që nuk kanë marrë shumë ngarkesë fizike. Shqipëria do të luajë të martën miqësoren me Bullgarinë, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” dhe do të nisë në ora 18:00.
Kjo është ndeshja e dytë e Kombëtares kuqezi për muajin tetor, pas sfidës zyrtare të kualifikueseve të Euro 2024 ndaj Çekisë, që u luajt më 12 tetor po në “Air Albania” dhe përfundoi me fitoren 3-0 të Shqipërisë.