Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka shpallur listën me emrat e 24 lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet kualifikuese të Euro 2025 ndaj Finlandës dhe Malit të Zi. Dhjetë lojtarë vijnë nga klubet e kampionatit shqiptar, kurse pjesa tjetër aktivizohen jashtë vendit.
Nuk mungojnë risitë në listën e Kombëtares U-21, teksa për herë të parë trajneri Alban Bushi ka ftuar portierin Brajan Lenja nga skuadra e Luzit, mbrojtësin Brayan Boci (Lecco – Serie B ), mesfushorin Eniss Shabani nga skuadra gjermane Mainz 05 II dhe sulmuesin Dion Berisha (Bayern II). Pjesë e listës është edhe Tim Civeja, i cili ka luajtur vetëm në miqësoren me Bullgarinë U-21.
Kombëtarja U-21 luan më 13 tetor duelin e tretë në grupin E ndaj Finlandës (ora 17:00, Veritas Stadion, Turku), ndërsa më 17 tetor do të presë Malin e Zi me takimin që luhet në stadiumin “Arena Egnatia”, duke filluar nga ora 14:30.
Shqipëria është shortuar në Grupin E bashkë me Rumaninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë, teksa renditet në vendin e parë pas dy fitoreve ndaj Armenisë U-21 dhe Rumanisë U-21.
Ekipi i drejtuar nga Alban Bushi do të grumbullohet me datë 8 tetor në Durrës dhe me datë 11 tetor do të udhëtojë drejt Finlandës, aty ku më datë 13 do të luajë ndaj vendasve ndeshjen zyrtare. Më pas ekipi do të kthehet në Shqipëri më datë 14 për të vijuar përgatitjet për ndeshjen e dytë ndaj Malit të Zi, më datë 17 tetor.
Trajneri Bushi ka në dispozicion një grup interesant me lojtarë të talentuar, të cilët treguan një formë të mirë në dy fitoret e arritura në ndeshjet e para kualifikuese të Euro 2025 për 21-vjecarët. Objektivi kryesor i kuqezinjve është kualifikimi për herë të parë në finalet e një Europiani për këtë grup-moshë.
Sakaq, trajneri Alban Bushi do të jetë nesër prej orës 11:00 para gazetarëve në sallën e konferencave në “Air Albania”, ku do të flasë për zgjedhjet e listës dhe dy ndeshjet e radhës kualifikuese.
Më poshtë, edhe lista me emrat e 24 lojtarë: