Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i bëri thirrje Serbisë gjatë një vizite në Beograd që t’i zbatojë marrëveshjet e arritur deri tani mes saj dhe Kosovës. Duke folur në një konferencë për media pas takimit me presidentin Vuçiç këtë të martë, Leyen tha se “sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri të Kosovës është krejtësisht i papranueshëm, autorët duhet të sillen para drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi. Është vendimtare që të dyja palët të angazhohen dhe të ndjekin rrugën e normalizimit. Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, duke e vrarë një polic. Gjatë konfliktit u vranë edhe tre sulmues serbë. Leyen theksoi se është e rëndësishme që Serbia të mbështesë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe që Kosova ta zbatojë atë. “Përveç kësaj, Serbia duhet të fillojë t’i zbatojë marrëveshjet ekzistuese dhe të mos humbasë kohë për këtë”, tha Leyen.
E pyetur se si mund të kërkohet nga Serbia që ta njohë de fakto Kosovën, nëse pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian (BE) nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Leyen tha se bëhet fjalë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila u arrit në mars në Ohër mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me ndërmjetësimin e BE-së. Gjatë vizitës në Prishtinë të hënën, Leyen nënvizoi se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia de fakto ta njohë Kosovën. Radio Europa e Lirë shkruan se ajo shpjegoi në Beograd se Marrëveshja e Ohrit parasheh hapa të ndryshëm që përfshijnë, për shembull, njohjen e dokumenteve të Kosovës nga Serbia. Leyen tha se kjo, në anën tjetër, shkon edhe me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilën Kosova duhet ta zbatojë.
“Kjo do t’i hapë rrugën normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Është parakusht i domosdoshëm për rrugën evropiane”, tha ajo. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se për Serbinë nuk është në pyetje njohja e Kosovës. “Dhe këtë e kam thënë pafundësisht dhe nuk është e vështirë për mua dhe nuk më vjen turp, jam krenar që e them para presidentes së KE-së”, tha Vuçiç. Ai shtoi se “ne e dimë se cilat janë obligimet tona nga dialogu dhe jemi të gatshëm t’i përmbushim ato”. Ndër të tjera theksoi se Serbia e ka të qartë se çfarë nuk mund të bëjë kundër Kushtetutës.
“Ai qëndrim i Serbisë nuk ndryshon”, tha Vuçiç.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Vuçiç tha se statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është bazë e mirë për bisedime, por se ai nuk mund të flasë për hollësitë e draftit që ka marrë. Ai tha se për momentin dy pengesa kryesore në rrugën e Serbisë drejt BE-së janë sanksionet ndaj Rusisë dhe marrëdhënia me Prishtinën. Serbia nuk iu bashkua politikës së jashtme të BE-së në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për agresionin e saj kundër Ukrainës. Pas takimit me presidenten e KE-së, Vuçiç-i shkroi në rrjetin social Instagram se atë po e pret një ditë e tërë bisedimesh.
“Në të cilën do t’ia shpreh të gjitha llojet e mirënjohjes BE-së për ndihmën dhe mbështetjen që na ka dhënë, me shpresën se Serbia do të ketë forcën për t’i përmbushur detyrimet e saj të anëtarësimit dhe të bëhet pjesë e familjes së kombeve evropiane”, tha Vuçiç. Përveç Vuçiç-it, Leyen është paraparë të takohet edhe me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç. Në kuadër të turneut të saj në Ballkan, Leyen e vizitoi edhe Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, ndërsa pas Beogradit do të shkojë në Sarajevë.