Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, ka thënë të premten se partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit, është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja komunale në veri të Kosovës, raporton radio Evropa e lirë.

Ai tha gjatë një konference për media në Mitrovicën e Veriut se Lista Serbe e mori këtë vendim në bashkëpunim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Rakiç theksoi se tani “topi është zhvendosur në fushën e Prishtinës”, dhe se pret që në komunat e veriut të Kosovën të thirren sa më parë zgjedhjet e reja.

Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë tani, të cilët e morën detyrën pas zgjedhjeve të prillit, të cilat u bojkotuan dhe kundërshtuan ashpër nga serbët lokalë, duke shkaktuar tensionim të situatës.
Kosova, pasi u përball me masa ndëshkuese nga BE-ja, u zotua për riorganizimin e zgjedhjeve, por dëshiron ta bëjë këtë vetëm përmes një udhëzimi administrativ i cili ua mundëson qytetarëve t’i shkarkojnë kryetarët e komunave të tyre përkatëse përmes një peticioni.

Më 13 shtator, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se dorëheqja e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbë në veri të Kosovës “është kërkesë vetëm e Beogradit”, duke këmbëngulur se kryetarët mund të largohet nga zyrat vetëm përmes udhëzimit të ri administrativ.
Por që nga atëherë, gjendja vetëm sa është tensionuar edhe më shumë, pasi Policia e Kosovës u sulmua më 24 shtator nga një grup serbësh të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe më vonë nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Milan Radojçiç e mori përgjegjësinë e sulmit.
Kosova e ka akuzuar Serbinë se tentoi ta “aneksojë tërë veriun e Kosovës”, gjë të cilën Serbia e ka mohuar. Më 12 tetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u bëri thirrje përfaqësuesve të serbëve në veri të Kosovës që të iniciojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.