3 ndeshje 9 pikë të plota, Bayern Munich është thjesht perfekt në Champions League. Ekipi i Tuchel, nuk njeh rival në Grupin A duke thyer edhe Gallatasary brenda në Stamboll me rezultatin 3-1. Gjigandët gjerman gjeten shpejt golin e avantazhit që në minutën e 8-të, ku Coman brenda në zonë dërgoi topin në rrjetë me një goditje të fortë. Turqit u rikthyen në lojë në minutën e 30-të, teksa fituan një 11-metërsh.
Mauro Icardi dhuroi spektakël nga pika e bardhë e penalltisë duke shënuar me “panenka”. Në pjesën e dytë, stafetën e mori Harry Kane, fillimisht duke shënuar në minutën e 73-të, ndërsa pak minuta më pas dhuroi një asist për Musiala-n, me talentin gjerman që sigloi shifrat në 1-3.
“Është fantastike të jesh në krye me 9-të pikë. Kjo nuk ishte një ndeshje e lehtë, të mos harrojmë që Gallatasary kishte 17 ndeshje që nuk pësonte humbje në shtëpi. Ne kemi një vijë të parë sulmuese shumë të rrezikshme, edhe kur nuk luajmë mirë, kjo na i bën gjërat më të lehta”, u shpreh Tuchel pas ndeshjes.
Pavarësisht se Kane realizoi një gol dhe dhuroi një asist, njeriu i ndeshjes u shpall Coman, ndërsa një paraqitje pozitive dhuroi edhe talenti 20 vjeçar, Jamal Musiala, për të cilin Real Madrid dhe Man.City vijojnë të insistojnë, por sipas Bild: ylli gjerman ka vendosur të mos largohet nga Bayern Munich.