28 Tetor, Tiranë- Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu nga gjimnazi “Sami Frashëri” në Tiranë ka garantuar nxënësit dhe mësuesit se investimet në sport, terrene dhe ambiente sportive në shkolla do të jenë prioritet në buxhetin e vitit që vjen.

Ministrja Manastirliu nënvizoi se fokusi mbetet tek zgjerimi më tej i angazhimit të të rinjve në të gjitha disiplinat sportive.
“Jemi duke punuar edhe me komitetin olimpik shqiptar për të zgjeruar ekipet sportive, për të vijuar mbështetjen sa i përket dy disiplinave volejboll, basketboll në mënyrë që të kemi sa më shumë të rinj të angazhuar. Ne do të vijojmë që edhe në këtë vit të kemi olimpiadën tonë, të kemi kampionatin tonë sportiv në gjithë vendin dhe fakti që Samiu, por edhe shkolla e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë janë të përfshira në këtë lëvizje tregon për masivizimin e sportit dhe duam ta shtrijmë jo vetëm në dy disiplina, por ta zgjerojmë edhe në disiplina të tjera, sepse duke i angazhuar me sportin ne do të kemi jo vetëm qytetar më të mirë nesër, por edhe të shëndetshëm”,- u shpreh Ministrja Manastirliu.

Gjatë vizitës në gjimnazin “Sami Frashri” Manastirliu theksoi se sporti aktualisht nuk është vetëm ora e edukimit fizik, por një lëvizje që bashkon, organizon dhe mbështet të gjithë nxënësit dhe të rinjt duke i motivuar për një jetë të shëndetshme. Ministrja Manastirliu ka përgëzuar të gjithë trajnerët dhe mësuesit e edukimit fizik për punën e bërë në shkolla me klasat sportive.