Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, gjatë një vizitë në Kroaci, Zagreb, ka zhvilluar një takim me ministrin e Drejtësisë së Kroacisë, Ivan Malenica. Takimi ka në fokus përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, përmes përmbylljes së kapitujve të negociatave me BE, konkretisht kapitujt e drejtësisë dhe sigurisë, 23 dhe 24.

Ministri Ulsi Manja përmes rrjeteve sociale ka ndarë disa detaje nga takimi me homologun Malenica.

“Me homologun tim kroat Ivan Malenica, një mik i mirë dhe një avokat i shkëlqyer i Shqipërisë në negociatat me BE. Që nga shkurti i vitit 2022, kur së bashku me Ivanin nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit midis dy ministrive tona të drejtësisë, ekspertët kroatë po punojnë ngushtësisht me ne për kapitujt 23 dhe 24, për të shpejtuar rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”, shkruan Manja.

“Po ashtu, kemi biseduar edhe për projekte të tjera, duke përfshirë transformimin e Shërbimit të Provës në Shqipëri, përmes modelit të kroatëve. Dy ministri, një skuadër!”, përfundoi Manja.