TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, u takua të premten me ministrin e Shtetit për Çështjet me Parlamentin dhe zv.ministër i Drejtësisë i Hungarisë, Róbert Répássy.

Në një reagim të ministrit Manja në rrjetet sociale bëhet me dije se gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve.

“Shqipëria ka pasur marrëdhënie të ngushta me Hungarinë që nga mesjeta. Në rrugëtimin tonë drejt BE-së, Róbert Répássy, Ministër i Shtetit Për Çështjet me Parlamentin dhe Zv.ministër i Drejtësisë, në emër të vendit të tij na ofroi mbështetje në fushën e ekspertizës në përafrimin e legjislacionit me BE”, shkruan Manja.

“Së bashku, kemi vendosur themelet për projekte të reja dypalëshe, sidomos në përdorimin e teknologjisë si një nevojë aktuale në sistemin e drejtësisë, por dhe projekte të tjera që do të identifikojmë dy ministritë tona”, nënvizoi Manja.