Kryeqyteti po bëhet gati për ‘Maratonën e Tiranës’! Për t’i lënë vendin ‘pistës’ për vrapuesit, qarkullimi i automjeteve do të devijohet përgjatë dy ditëve në vijimin, ndërsa do të bëhet dhe heqja e automjeteve të parkuara përgjatë perimetrit të garës.
Në funksion të sigurisë, Bashkia Tiranë ka vendosur sinjalistikë të përkohshme rrugore , ndalim qëndrimi dhe pushimi për mjetet , duke shfuqizuar dhe mbuluar të gjithë sinjalistikën e mëparshme.
Bashkia e Tiranës dhe policia bashkiake kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve që këto dy ditë të përdorin sa më pak të jetë e mundur automjetet private dhe të mos tentojnë të hyjnë me automjet brenda perimetrit të garës, gjatë zhvillimit te garës, pasi kjo është rreptësisht e ndaluar, si dhe t’u binden menjëherë urdhrave të shërbimeve policore , në devijimet eventuale të trafikut që do të kërkohen.
Gjithashtu, u kërkohet bashkëpunimi i qytetarëve që të mos parkojnë automjetet e tyre private, brenda perimetrit të garës dhe të heqin vullnetarisht mjetet e parkuara në rrugët ku do të zhvillohet gara , nëse i kanë parkuar disa ditë më parë, pasi në të kundërt, do të spostohen me mjet ngritës, nga shërbimet policore .
Policia Bashkiake bën me dije se ata qytetarë , që do të duan të lëvizin me automjetet e tyre, që ndodhen të parkuara në brendësi të lagjeve që ndodhen brenda perimetrit të garës, duhet t’i nxjerrin ato, jashtë perimetrit, përpara orës 08:00 të datës 22 Tetor, nëse kanë planifikuar udhëtime, pasi rrugët do të bllokohen deri në orën 15:00 dhe nuk do të kenë mundësi të hyjnë-dalin me automjet, nga zona e tyre e banimit që ndodhet brenda perimetrit te garës.
Përveç automjeteve, Policia Bashkiake kërkon mirëkuptimin dhe të drejtuesve të biçikletave, monopatinave , apo motorëve elektrike që të mos lëvizin në rrugët brenda perimetrit dhe gjatë zhvillimit të garës, pasi kjo do të jetë rreptësisht e ndaluar. Ndërkaq, këmbësorët do të ndihmohen nga shërbimet policore dhe vullnetarët për të kaluar rrugën, në vendet e përcaktuara, pa u bërë pengesë për vrapuesit.
Më datë 21 Tetor, nga ora 09:00-11:00, në blv. Dëshmorët e Kombit, do të zhvillohet “Maratona Fun Run”, me mbi 2000 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Kurse të dielën, nga ora 08:00-15:00, do të zhvillohet aktiviteti më i madh ndërkombëtar sportiv dhe promovues i vitit, që është super “Maratona e Tiranës”.