Emisarët perëndimorë i kërkuan Prishtinës dhe Beogradit që të normalizojnë marrëdhëniet dhe të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha se shtensionimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë më urgjente së kurrë më parë. Lajçak deklaroi në Prishtinë se me katër diplomatët e tjerë kanë dalë një plan, dhe të njëjtin do ta paraqesin edhe gjatë takimit me presidentin serb në Beograd.

Në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Lajçak përsëriti se sulmuesit e policisë së Kosovës në Banjskë duhet të sillen para drejtësisë dhe se incidenti duhet të hetohet tërësisht. I dërguari i BE-së tha gjithashtu se vendet perëndimore e dënojnë ashpër këtë sulm dhe shtoi se pritet bashkëpunimi i plotë i Serbisë në këtë çështje.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pas takimit me Lajçakun dhe katër diplomatët e tjerë perëndimorë se për Kosovën, çështja më urgjente është siguria e shtetit dhe qytetarëve. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se pati një takim “të vështirë”, por që beson se në periudhën e ardhshme “ne do ta gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë”.

Çfarë tha Lajçak në Prishtinë?

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Lajçak, pas takimit me Kurtin tha se “çfarëdo kushti, apo çfarëdo vonese për normalizimin e marrëdhënieve është e papranueshme”.

“Ne presim nga Kosova dhe Serbia që t’i plotësojnë tërësisht detyrimet e tyre brenda dialogut. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia bënë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të këtij viti”, tha Lajçak duke iu referuar sulmit kundër Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Lajçak nënvizoi se sulmi në Banjskë vetëm se a e ka bërë edhe më të rëndësishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe se ai është rruga e vetme për dy vende me aspirata evropiane.

“Dialogu është më i rëndësishëm së kurrë, sepse nëse nuk ka dialog mund të përsëritet eskalimi, dhe kjo nuk është çka duam ne, as çka doni ju. Prandaj jemi këtu. E dyta, nuk ka alternativë tjetër pos dialogut, sepse dialogu sjell normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e hap rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, tha Lajçak.

Lajçak theksoi se Kurti, si kryeministër i Kosovës, “ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt Bashkimit Evropian”.

“Këtu, ne duhet ta nënvizojmë nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë pa asnjë vonesë tjetër. Pa këtë, nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës”, paralajmëroi Lajçak.

Në lidhje me dialogun, Lajçak tha se ai dhe katër diplomatët e tjerë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Alessandro Cattaneo, erdhën në Prishtinë me një plan.

“Ne gjithmonë e kemi një plan, pra ne e kemi një plan dhe ne e diskutuam planin me kryeministrin Kurti dhe do ta diskutojmë edhe me presidentin Aleksandar Vuçiq sot më vonë. Tani nuk do të jap më shumë hollësi”, tha Lajçak.