Rënia e numrit të studentëve që i drejtohen universiteteve publike në vend është reflektuar edhe në degët si arkeologjia e trashëgimia kulturore.
Rreth 22% më pak të rinj krahasuar me një vit më parë kanë zgjedhur degën e arkeologjisë, e duket se stepja e tyre vjen si pasojë e mungesës së informacionit lidhur me tregun e punës.

LORENC BEJKO

PEDAGOG/ARKEOLOG

“Numrat e studentëve që regjistrohen në degën tonë janë numra të kufizuar në përputhje me madhësinë e industrisë që përfaqësojmë. Kemi të bëjmë me një ulje të studentëve të regjistruar po jo mungesë të studentëve. Sepse kjo lidhet edhe me tregun që ofron arkeologjia, me madhësinë e arkeologjisë dhe rolit të saj në trashëgiminë kulturore si dhe në prespektivat e karriera profesionale.”
Ndërsa reformat e ndërmarra për të afruar studentët nëpërmjet shpalljeve të degëve prioritare pedagogët nuk i shohin si zgjidhje afatgjatë, për ta duhen ndërmarrë ndryshime në politikat e vetë departamenteve si dhe duhen rishikuar programet arsimore.

“Nuk mendoj se është kjo zgjidhja, është një nga mënyrat për ta stimuluar por jo zgjidhje e problemit. Zgjidhja është dinamika e vërtet qe trashëgimia kulturore dhe arkeologjia do të ofrojnë për një karrierë të vërtetë profesionale në të ardhmen. Kështu që ne jemi duke parë seriozisht ndryshimin e filozofisë së programeve tona dhe të aftësive qe duam ti japim studentëve të rinj ne gjetjen e tregut të ri të punës, që nuk është më tregu tradicional po është tepër më kreativ.” Por departamenti i arkeologjisë në Universitetin e Tiranës është i hapur për të gjitha programet informuese lidhur më maturantët që duan të marrin më shumë të dhëna për rendësine qe ka arkeologjia dhe trashëgimia kulturore.