“Zikaltërit” e Inter arritën një fitore spektakolare, pasditen e së shtunës, që sapo lamë pas, teksa në “Stadio Olimpico di Torino” mposhtën “demat” vendas me rezultatin e thellë 0 me 3, pas goalve të Marcus Thuram, Lautaro Martinez e Hakan Calhanoglu.
Pas sfidës, disa fjalë për paraqitjen e të tijve i tha dhe tekniku Simone Inzaghi, ku përveç se lavdëroi lojën e bukur të të tijve foli edhe për “kohën rekord” në të cilën, “bomberi” francez, Marcus Thuram është përshtatur te “zikaltërit”.
“Djemtë luajtën mirë dhe ne kishim një pjesë të dytë fantastike. Ata ishin të rëndësishëm. Ishin 60 minutat e para dhe 30 minutat e fundit, unë u përpoqa që t’i përdorja të gjithë. Këtë gjë e mendova që një ditë përpara dhe të gjithë ata luajtën mirë.
Përsa i përket Thuram mendoja se do t’i duhej më shumë kohë. Pastaj duke e parë në fushë, mënyra se si stërvitet, kisha një ndjenjë pozitive. Ai do të përmirësohet dhe përpiqet të kuptojë çdo situatë. Jam i kënaqur me të dhe me ekipin”,- u shpreh tekniku italian.