24 delegacione nga vendet anëtare të Procesit të Samitit të Berlinit do të mblidhen nesër në Tiranë. Për herë të parë në histori, ky proces do të mbahet jashtë kufinjve të BE, ndërsa nesër do të zhvillohet Ministeriali i Ministrave për Punët e Jashtme, i cili paraprin Samitin e Berlinit, që do të mbahet në 16 tetor. Takimi që do të zhvillohet nesër do të drejtohet nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Ministria e Brendshme në një njoftim ka komunikuar se në të do të marrin pjesë Komisioneri për Zgjerimin i KE, Oliver Varhelyi; Përfaqësuesja e EAS, Angelina Eichhorst; Ministrat e Jashtëm të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës si dhe të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit si Gjermania, Austria, Greqia, Hungaria etj. Pjesë e Procesit të Berlinit janë edhe RCC (Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal) dhe RYCO (Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor).
Takimi do të ketë 2 sesione të cilat do të jenë të mbyllura dhe në fund Ministri Hasani, Ministrja gjermane Baerbock dhe komisioneri Varhelyi do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Në fokës të këtij ministeriali do të jenë:
– Forcimi i dimensionit rajonal;
– Nënvizimi i rëndësisë së veçante të këtij procesi në kuadër të integrimit në BE;
– Përforcimi i angazhimit lidhur me Tregun e Përbashkët Rajonal, katër lirive themelore, Agjendës së Gjelbërt dhe atë Digjitale;
– Përfarimi me Tregun Unik të BE-së;
– Ruajtja e momentit rivitalizues të arritur në Samitin e vjetshëm në Berlin;
– Zbatimi i marrëveshjeve të lëvizshmërisë;
– Forcimi i marrëdhënieve ndërmjet shteteve të rajonit, si dhe përshpejtimi i Integrimit Europian.
Kryeministri Edi Rama më herët sot (e enjte) tha se po zhvillohen përgatitjet e fundit për Samitin e Procesit të Berlinit. Rama shtoi se në Samit do të jetë pjesëmarrja e 6 kryeministrave të rajonit, ndërsa kanë konfirmuar pjesëmarrjen Presidenti i Francës dhe Kancelari i Gjermanisë, Presidentja e Komisionit Europian, si edhe një sërë kryeministrash të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Ndërkohë ditën e djeshme, ambasadori i Gjermanisë Karl Bergner, i cili ndodhet në Tiranë tha se roli i Shqipërisë është i shumëfishtë. Ai shtoi se “për ne në këndvështrim strategjik është e rëndësishme të mbështesim Shqipërinë për rrugën në BE. Të gjitha projektet që zhvillojmë janë kontribute që e sjellin Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE”.
Ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e cila do të jetë nesër e pranishme në Samit, vjën në një kohë ku tensionet me Kosovës dhe Serbisë janë përshkallëzuar. Baerbock e cilësoi situatën në rajonin e Ballkanit si tejet “shqetësuese”.