Sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë mbi 700 persona ditën e kaluar, tha më 24 tetor Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Kjo shifër paraqet një rritje të madhe të vdekjeve pas shpeshtimit të sulmeve izraelite në këtë territor. Izraeli ka bombarduar pareshtur Gazën që kur militantët e Hamasit sulmuan qytetet jugore izraelite më 7 tetor. Që nga shpërthimi i luftës, numri i të vrarëve ka arritur në 5.800 në Gazë, përfshirë 2.360 fëmijë tha zëdhënësi i kësaj ministrie, Ashraf al-Qidra. Të paktën 16.297 të tjerë janë plagosur, tha ai.
Ai tha se kanë pranuar 1.550 raportime për njerëz të zhdukur, përfshirë 870 fëmijë, duke sugjeruar se të zhdukurit mund të jenë ende të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se 12 spitale nga 35 gjithsej në Gazë nuk janë funksionale që nga e hëna. Kjo organizatë tha po ashtu se 46 nga 72 ndërtesat e kujdesit shëndetësor në Gazë, apo 64 për qind, nuk janë duke operuar, shumica në Qytetin e Gazës dhe në veri të Gazës.
Al-Qidra tha se ndërtesat shëndetësore kanë dalë jashtë funksionit për shkak të sulmeve apo për shkak të mungesës së karburanteve. “Ministria e Shëndetësisë njofton për kolapsimin e plotë të spitaleve në Rripin e Gazës”, tha ai. Al-Qidra i bëri thirrje Qeverisë së Egjiptit që të hapë pikëkalimin kufitar Rafah, në mënyrë që furnizimet shëndetësore të arrijnë në Gazë dhe të lejojë që në Egjipt të trajtohen të plagosurit. Egjipit ka thënë se nuk e ka mbyllur pikëkalimin, por sulmet ajrore izraelite dhe ato të palës palestineze kanë detyruar që ai të mbyllet.