Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Znj. Albana Koçiu mori pjesë në ceremoninë e Ditës Kombëtare të Aktivizmit, e cila u organizua nga ambasada e SHBA-së si pjesë e Javës Amerikane të këtij viti. Në këtë ceremoni ku merrnin pjesë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, Ministrja e Kulturës Elva Margariti, aktori dhe aktivisti amerikan, RJ Mitte, u nderuan me çmime 5 aktivistët më të mirë për Shqipërinë që sjellin ndryshim për të ardhmen e Shqipërisë, veçanërisht për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Ministrja Koçiu i ka dorëzuar çmimin aktivistes Suela Lala, e cila është një rast frymëzimi dhe një personazh që kurrë nuk është zmbrapsur në jetë.

Në një postim në rrjete sociale Znj. Koçiu shkruan se: “Shumë njerëz kanë mision të frymëzojnë çdo ditë, të rinj e të reja. Ata ndjekin hap pas hapi ëndrra të mëdha. E tillë është edhe aktivistja Suela Lala, të cilës pata kënaqësinë t’i dorëzoja çmimin e aktivizmit, një personazh që kurrë nuk është zmbrapsur në jetë. Në ceremoninë e organizuar nga 🇺🇸 Ambasada Amerikane, së bashku me të Ngarkuarin me Punë në këtë ambasadë, z. David Wisner, me ministren e Kulturës, znj. Elva Margariti, si dhe aktorin e njohur amerikan, Roy Frank RJ Mitte, dorëzuam çmime për 5 aktivistët më të mirë të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar në Shqipëri”.