Në Poliklinikën e Specialiteteve të Durrësit kanë nisur punimet për rikonstruksionin tërësor të kësaj godine cila do të ketë kushte dinjitoze për stafin mjekësor dhe shërbime cilësore për qytetarët. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Albana Koçiu ka inspektuar sot punimet duke theksuar se kjo poliklinikë do të transformohet në një qendër moderne dhe sipas standardeve në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore.

Koçiu nënvizoi se ky institucion shëndetësor mban peshën kryesore të shërbimit mjekësor për rreth 290 mijë banorë të Qarkut Durrës, por edhe për turistët gjatë sezonit veror. Ajo sqaroi se poliklinika do të ofrojë shërbime cilësore dhe në kohë për specialitete të ndryshme si në kardiologji, neurologji, onkologji, ORL, okulistikë, endokrinologji, fizioterapi, psikiatri, nefrologji, gastroenterologji, germatologji, reumatologji, hematologji si dhe ekzaminime laboratorike ambulatore.
Ministrja vuri në dukje se në kuadër të këtij investimi, rëndësi i është dhënë krijimit të lehtësirave për të gjitha grup moshat dhe mundësia e aksesimit për personat me aftësi të kufizuara.