Një grua e moshuar në Rusi ka jetuar gjithë jetën me një gjilpërë 3 cm të gjatë në tru, zbuluan mjekët gjatë një skanimi CT. Mjekët besojnë se prindërit e 80-vjeçares ishin përpjekur ta vrisnin ende pa mbushur 1 vjeç. Specialistët vendosën të mos e hiqnin gjilpërën nga frika e përkeqësimit të gjendjes së saj.
Në një deklaratë, departamenti i shëndetësisë në rajonin Sakhalin në Rusi tha: “Raste të tilla gjatë viteve të urisë nuk ishin të rralla.” Prindërit e saj ndoshta vendosën ta vrisnin fëmijën e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Metoda e vrasjeve me gjilpërë është përdorur shpesh për të fshehur provat e krimit.
Mungesa e ushqimit ishte e përhapur në të gjithë Bashkimin Sovjetik gjatë luftës dhe shumë njerëz jetonin në varfëri. “Gjilpëra depërtoi në lobin parietal të majtë, por nuk pati efektin e synuar – vajza mbijetoi,” u shpreh departamenti lokal i shëndetësisë, duke shtuar se pacientja nuk ishte ankuar kurrë për dhimbje koke. Gjendja e saj po monitorohet nga mjekët.