Roma luan nesër në 21:00 kundër Slavias së Pragës për grupin G të Europa League. Në prag të ndeshjes që luhet në “Olimpico” foli trajneri i vendasve, Jose Mourinho. Trajneri portugez ka cekur edhe duelin e fundjavës kundër Interit në “San Siro”, duke i quajtur “idiotë” ata që e akuzojnë se kundër Monzës mori karton të kuq që të mungonte në stol ndaj zikaltërve.

“Ata që e konsiderojnë një karton të kuq me dashje, janë idiotë. Unë kam bërë historinë me Interin, por tani jam te Roma dhe dua të fitoj me Romën. Do të doja shumë të isha me djemtë në këtë përballje, aty pranë vijës, duke i udhëzuar, por u ndëshkova për një sjellje që e bëjnë shumë trajnerë dhe që ia kanë hedhur paq gjithmonë. Nuk e di a ishte një ndëshkim i drejtë”, tha Mou për akuzat se kartonin e kuq e mori me dashje.

Për ndeshjen kundër Slavias së Pragës, Mou tha se nuk kanë luks për të lënë lojtarët në stol.

“Ne nuk e kemi luksin të lëmë lojtarët titullarë pushim në ndeshjen ndaj Slavias. Në fundjavë na pret një sfidë shumë e vështirë, përballë një Interi që për mendimin tim duhet të fitojë titullin kampion me 20 pikë diferencë nga vendi i dytë. Ka organikë shumë të fortë dhe alternativa pa fund, që do t’i ëndërronte çdo skuadër”, tha portugezi duke kaluar presionin te zikaltërit.