Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi në kuadër të nismës “Panair në çdo qark”, zhvilloi panairin e radhës në qytetin e Tiranës. Panairi për edukim, trajnim dhe punësimi për të rinjtë e Tiranës, vjen paskatër panaireve të tjera të zhvilluara në Kukës, Sarandë, Vlorë dhe Shkodër. Të pranishëm në panair ishin mbi 50 aktorë që ofrojnë shërbime për të rinjtë, për t’i prezantuar ata me ofertat dhe mundësitë reale për të rinjtë.
Ministrja Muzhaqi shprehet “Në piramidën e rikontruktuar enkas për të rinjtë, zhvilluam Panairin e edukimit, trajnimit dhe punësimit për të rinjtë e Tiranës të cilët u njohën me shërbimet që ofrohen për ta nga mbi 50 aktorë, duke filluar nga projektet që po zbatohen me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, me akademitë që ofrojnë kurse programimi me mbështetjen e qeverisë, me sektorin bankar dhe shërbimet e tyre, por edhe me artin dhe kulturën.”
Për më tepër, ministrja Muzhaqi theksoi se aktorët që ofrojnë shërbime për të rinjtë prezantuan edhe ofertat dhe mundësitë e punësimit, njëherazi edhe qëllimi kryesor i panairit.
“Sigurisht, nuk mund të mungonin as oferta punësimi dhe trajnimi për të rinjtë e sapo akomoduar në Tiranë për studime, por edhe për të gjithë studentët e tjerë.” u shpreh Muzhaqi.
Ministrja Muzhaqi së bashku me kryetarin e bashkisë, Erion Veliaj vizituan çdo stendë për t’u njohur më nga afër me shërbimet dhe ofertat që ofrohen për të rinjtë, për t’u siguruar që janë në standardin e duhur dhe në përputhje me kërkesat e tregut dhe të të rinjve.