Myrto Uzuni ishte titullar dhe protagonist në golin e parë në miqësoren me Bullgarinë dhe në ndryshim nga ndeshja me Poloninë në Tiranë, Silvinjo e aktivizoi në majën e sulmit, pozicion që siç e thotë edhe vetë ai, ka shënuar 30 gola me ekipin e Granadës.

Duke folur për mediat pas fitores me bullgarët, Uzuni thekson se do të luftojë fort për të luajtur në këtë pozicion, pasi sipas tij asnjë vend në ekipin kombëtar nuk është i zënë apo ta ketë dikush me “tapi”, por kush e meriton do të luajë. Ndërsa duke u pyetur për golat e munguar në Kombëtare, pasi me Granadën shënon shpesh, sulmuesi beratas shprehet se ato do të vijnë, ndoshta në… Europian.

Myrto, ndeshjen me Bullgarinë e nisët si sulmues kryesor, si ndiheni në këtë pozicion?

Normal që ndihem më mirë, pasi në dy vitet e fundit në këtë rol kam shënuar 30 gola me skuadrën e Granadës. Patjetër që ndihem më mirë si sulmues në majë.

U pa që edhe pse ishte një ndeshje miqësore, ju e vlerësuat njësoj si në ndeshjet e tjera… E ndjetë këtë në fushë?

Kur unë futem në fushën e lojës nuk e shoh nëse është ndeshje zyrtare apo miqësore, pasi luajmë për kombin dhe duhet të japim shpirtin në fushë dhe të presim mundësinë tonë që të tregojmë edhe vlerat tona.

Për mënyrën se si luan Silvinjo, pjesa e qendërsulmuesit është pothuajse e zënë. Mund të jetë për Uzunin një alternativë në krah apo duhet të luftojë për qendrën?

Jo, pothuajse e zënë nuk ka asgjë të sigurt në futboll. Të gjithë lojtarët jemi aty. Unë kam gjithmonë besim, pasi po shënoj gola dhe po luaj në një nga ligat më të forta në botë dhe normal që do të pres mundësinë time. Nuk ka diçka të zënë, pasi nuk e kemi vendin me tapi apo tonin. Të gjithë duhet të punojmë dhe të luftojmë fort për atë vend dhe kush e meriton të luajë.

Keni vrapuar shumë në këtë ndeshje dhe shumë dyluftime, mungoi vetëm goli ndoshta…

Mendoj se bëra një punë shumë të mirë. Të gjithë çunat e skuadrës më përgëzuan, si edhe trajneri Silvinjo për punën e bërë. Rëndësi ka që ekipi fitoi. Sa u përket golave, them se do të vijnë, ndoshta në Europian. Panorama Sport