26 Tetor, Fier- Ministria e Arsimit dhe Sportit ka nisur programin e pasurimit të bibliotekave në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të vendit, me mbi 13 mijë libra të rinj.
Nga shkolla e mesme artistike “Jakov Xoxa” në Fier, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, foli për programin e ri, që do të përfshijë mbi 500 shkolla në vend.
“Jam e kënaqur që me këtë iniciativë do të jemi në 517 shkolla, me 13 mijë libra për shkollat 9-vjeçare dhe shkollat e mesme, për pasurimin e bibliotekave në shkolla, që ju të keni mundësi që edhe orët e hapura t’i bëni me librat e rinj, që i ka shkolla”,- tha Ministrja Manastirliu. 
 
Programi “Biblioteka ime në shkollë” i mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, do të kontribuojë në zgjerimin e fondit të librave të bibliotekave në shkolla.
Më shumë se 13 mijë libra artistikë dhe shkencorë do të dorëzohen në mbi 500 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme përgjatë këtyre javëve. Pasurimi i fondit të librave në bibliotekat e shkollave u konsiderua si thelbësor  nga Ministrja Manastirliu, jo vetem për të zgjeruar aksesin e nxënësve në dije, por dhe për të ushqyer imagjinatën, dëshirën për leximin dhe për t’i pajisur me shembuj të nevojshëm, që do t’i nevojiten për të ardhmen e tyre.