Piketimet nga Silvinjo vazhdojnë. Një tjetër emër i ri ka dalë në skenë së fundmi për t’u afruar në Kombëtaren shqiptare. Gazeta “Panorama Sport” mëson se Amar Gërxhaliu është ndjekur nga stafi i ekipit përfaqësues dhe mund të jetë një alternativë në të ardhmen për repartin e mbrojtjes.
Gërxhaliu, i lindur në Vushtrri, është pjesë e Antaliasporit në Superligën turke, edhe pse aktualisht nuk po merr minuta. Më parë ai ka luajtur edhe me moshat e këtij klubi, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2026. Pozicioni i tij është në qendër.
SITUATA- Me ardhjen e Silvinjos në stolin kuqezi, kemi parë që të afrohen edhe disa emra të rinj, që trajneri brazilian i patrembur dhe me guxim u ka besuar vendin e titullarit apo minuta në ndeshjet kualifikuese. Mjafton të përmendim Jasir Asanin dhe Mario Mitajn, dy nga më të dalluarit deri tani.
Pa harruar Marvin Cunin, Mirlind Dakun dhe Arbnor Mujën. Këta dy të fundit ishin pjesë e Kosovës më parë, ndërkohë tani kanë luajtur 3 ndeshje me kuqezinjtë.
E njëjta situatë edhe me Amar Gërxhaliun, për të cilin mësohet se pëlqehet nga stafi i Kombëtares. Mbrojtësi shtatlartë është ftuar nga Kosova në muajin qershor, por nuk arriti që të debutonte, teksa në shtator luajti një ndeshje me Kosovën U-21, ndërkohë më parë ka qenë edhe një ndeshje pjesë e Shqipërisë U-18, duke u aktivizuar vetëm një ndeshje.
Aktualisht prapavija e Kombëtares po kalon një moment shumë të mirë, duke mos pësuar gol në pesë ndeshjet e fundit në shtëpi, dhe në tetë ndeshje ka nxjerrë topin vetëm tri herë nga rrjeta.
Megjithatë, Gërxhaliu është në orbitën e stafit kuqezi dhe në të ardhmen pritet që t’i rezervohet një ftesë për t’u bashkuar me Shqipërinë./Panorama Sport