Nga Ben Andoni/

Megjithëse çështja e z. Berisha është përballë Drejtësisë dhe tashmë publiku do të njohë edhe më realisht staturën e tij, por më shumë aftësitë e tij për t’u përballur me të gjithë akuzën, një gjë është dhe mbetet e paqartë: A do të vazhdojë tollovia e procedurës nga Drejtësia dhe çfarë do t’i përballë asaj z. Berisha? Deri më tani, energjia më e madhe e liderit të PD-së është harxhuar në fyerje, stigmën për Drejtësinë, krahasimin me rastet e marra nga SPAK me të Majtën dhe mbi të gjitha: retorikë të gjatë kundërshtuese dhe sfiduese. Dhe, për t’i vënë kapakun i ka dhënë një “dërrmë” të fundit edhe deputetit gjerman, Gunther Krichbaum, i cili konfirmoi se: Berisha është nën akuza të rënda nga SPAK. Edhe pse duket se deputeti gjerman është më afër pjesës së PD-së që përfaqëson Lulzim Basha, një gjë është shqetësuese: dy standardet. Në këtë rast nga Berisha dhe nga ana tjetër lidhur me Drejtësinë, që duket se ende ai vetë nuk po kupton se ka momentin që të ngrihet mbi palët, nëse i posedon të gjithë argumentet dhe të shkundë këtë status quo, ku politikanët janë të paprekshëm. Krichbaum, që sot u ofendua, u shpreh vetëm se: SPAK po bën punën e tij, ndërsa deklaratat për politizim janë absurde. Sipas tij, puna e institucioneve të Drejtësisë duhet të mbrohet dhe jo të sulmohet, siç po bëhet rëndom.

Si asnjëherë tjetër, statura e Berishës, për njerëzit e tij është vendosur në një provë, që është më shumë se politike, ajo është mirëfilli historike. A ja ka vlejtur deri më sot besnikëria e tyre dhe idoli i krijuar? Për një pjesë e dimë që po, sepse kanë pasur përfitime dhe kanë nisur statuse pasurore dhe sociale shumë më të favorizuar se të tjerët. Po, për një pjesë që e kanë identifikuar me vetë PD-në dhe të Djathtën, tashmë dilema është e madhe. A duhet respektuar vendimi i tij që të mos përballet me Drejtësinë? Pse nuk respektohet Drejtësia, që kemi dekada që e kërkojmë? Pse u pasuruan kaq shumë njerëzit pranë tij dhe familjarët e vet?!

Po bëjmë një lloj diversioni, duke përdorur një figurë të së Majtës. Jo më kot, pasi vetë Berisha për fat të keq ka ende shumë remineshenca të së Majtës. Quhej Lev Davidoviq Bronshtein, por në histori ka mbetur me emrin Leon Trocki, një revolucionar rus, politikan sovjetik, gazetar dhe teoricien politik, që ka shkruar edhe për Shqipërinë. Ai ishte një figurë e kudondodhur në Revolucionin e Tetorit, Luftën Civile Ruse dhe krijimin e Bashkimit Sovjetik, por që përfundoi i vrarë në Meksikë. Në një nga përballjet e tij, të cilat do të ishin të shumta në jetë dhe kundër një sfinksi si Stalini, do të shkruante: “Thellësia dhe forca e karakterit njerëzor përcaktohen nga rezervat e tij morale. Njerëzit e zbulojnë veten plotësisht vetëm kur janë të përjashtuar nga kushtet e zakonshme të jetës së tyre, sepse vetëm atëherë ata duhet të kthehen në rezervat e tyre”. Këto rezerva morale duket se po mungojnë te Berisha, kurse njerëzit përreth në vend ta këshillojnë merren me gjëra dytësore, kurse një pjesë do ta zhvendosë vëmendjen me aksionin opozitar, që tashmë është zbehur shumë. Përmendja e Revolucionit prej tyre i bën edhe më të Majtë sesa vetë e Majta jonë e konsoliduar 80-vjeçare me rrënjë në Socializëm. Dhe, Berisha në këto kushte është zhveshur nga shumë gjëra që kishte ngritur rreth vetës: kredot e barazisë si të gjithë shqiptarët, aftësia për t’u përballur me të vërtetën dhe mbi të gjitha pjesa e dinjitetit procedurial përballë Drejtësisë. Në këtë të fundit po e ndihmon shumë edhe zallamahia e Drejtësisë sonë, që duket se llogarit edhe të ardhmen me figura të tjera, të njohura, të cilat me shumë gjasa do ta pasojnë në të ardhmen.

Po ku është dilema e këtyre ditëve? Aksioni opozitar (që është aq i mirëpritur) nuk ka asnjë qëllim këtë herë përveç përgjigjes së thirrjes të Berishës dhe nuk po i paraqet shoqërisë modulet e ndryshimit, përveç stigmës ndaj Ramës dhe të tjerëve, punë që po e bën shumë më mirë SPAK-u. Asnjë ide nuk tregohet pse nuk duhet ky lloj regjimi, kur dihet se në këtë regjim do vazhdojmë të jetojmë dhe po të vinë dhe të kundërtët e Ramës: regjim me zgjedhje, me parlament dhe me këtë kinse liri.

Dhe, sërish Trocki, por këtë herë sesi donte t’i mobilizonte masat e vendit të tij: “Masat hyjnë në një revolucion jo me një plan të përgatitur rindërtimi shoqëror, por me një ndjenjë të mprehtë se nuk mund ta durojnë regjimin e vjetër. Vetëm shtresat drejtuese të një klase kanë një program politik, madje edhe kjo kërkon ende testin e ngjarjeve dhe miratimin e masave”. A janë gati masat dhe a po e aprovon komuniteti i PD-së së Rithemelimit, që sulmin personal mbi Berishën ta përçojnë në një aksion publik (ata do preferonin termin revolucion, huazuar nga vëllezërit e Majtët)? A janë gati individë drejtues të saj ta drejtojnë? Për këta të fundit dihet: Do të vazhdojnë aktin e Berishës, sepse vetë mbesin pa ide. Por deri kur vallë?! (Javanews)