UEFA ka hedhur poshtë zërat e medias spanjolle mbi planifikimin e një formati të ri, model Superlige, që do të aplikohej nga viti 2027. Në një deklaratë zyrtare, qeveria europiane e futbollit tha se e ka tashmë formulën e re të Champions League, që do të nisë sezonin e ardhshëm dhe nuk po mendon për asnjë version të ri.

“UEFA nuk po punon për asnjë projekt të ri. Kundërshtimin tonë ndaj Superligës e kemi shprehur qartë dhe dokumentuar, ndaj zërat për një ide të re, janë krejtësisht të pabaza. Presim me padurim aplikimin e formatit të ri të kompeticioneve për klube, që do të nisë nga sezoni i ardhshëm”, thuhet në reagimin e UEFA-s.