Një tjetër rast i vjedhjes se banesave nga punonjëset e pastrimit ka ndodhur në kryeqytet. Ketë herë pre e vjedhjes ka rënë mjeku anestezist Roland Xhaxho, emri i të cilit u bë i njohur për opinionin publik pas vdekjes se vogëlushit 3-vjeçar, i cili pati komplikacione të shkaktuara nga anestezia gjatë ndërhyrjes për rregullimin e dhëmbëve të qumështit.

Bashkëshortja e mjekut Roland Xhaxho ka bërë kallëzim në polici, dhe pretendon se pastruesja e saj i ka vjedhur një shumë prej 45.900 euro dhe 200 mije lekë në shtëpinë e tyre në rrugën ‘Federik Shiroka’ në Tiranë. Po ashtu Fatmira Xhaxho ka ngritur dyshime se punonjësja e pastrimit ka marrë sende me vlerë edhe në banesën e vajzës së saj. Pas kallëzimit, Policia ka shoqëruar pastruesen me iniciale A. Xh., e cila rezulton të jetë kushërirë e largët e mjekut Roland Xhaxho.

Familja Xhaxho ka sqaruar se paratë ishin kursime të vjehrrës së mjekut, të mbledhura në 30 vite pension dhe ata e kanë konstatuar vjedhjen vetëm pasi nena kishte ndërruar jetë. Sipas dëshmisë së bërë në polici, nëna e bashkëshortes së mjekut para se të ndërronte jete, kishte pësuar humbje të kujtesës dhe dyshohet se i ka treguar pastrueses vendin ku mbante shumën e parave në pavetëdije. Në banese kishte edhe kamera sigurie dhe pas këqyrjes së tyre u konstatua se sanitarja kontrollonte çantat, dollapët dhe sirtarin ku ishin paratë. Ne pamjet e kamerave të datës 16 prill 2021 janë fiksuar veprimet e sanitares, e cila me një thike hapi një sirtar të mbyllur me çelës dhe merr një zarf.

Kallëzimi është kryer në datën 27 prill 2021, por ngjarja nuk është bërë publike nga policia. Gjykata e Shkalles së Parë e ka dënuar pastruesen me 4 vite burg, por për shkak te gjykimit të shkurtuar do të vuajë dënimin me 2.8 vite burgim.