Fiorentina bie pikërisht atëherë kur më pak pritej, pëson një humbje të rëndë 2-0 në shtëpi përballë Empolit. Për fat të keq, Ismajli nuk është ende i disponueshëm për ekipin toskan, por protagonist absolut në këtë sukses ishte gardiani kuqezi, Etrit Berisha. Portieri shqiptar ishte i pakalueshëm në këtë sfidë teksa Fiorentina goditi 7 herë kuadratin, por në çdo rast Berisha ishte gati.
Djemtë e Andreazzoli-t zhvilluan një pjesë të parë fantastike ku kaluan në avantazh në minutën e 21-të me Caputo-n. Në fundin e pjesës së parë, Caputo dërgoi sërish topin në rrjetë, por gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për prekje të topit me dorë. Në fraksionin e dytë, Berisha mbajti portën të paprekur, ndërsa Gyasi dyfishoi shifrat duke hipotekuar këtë sukses të rëndësishëm për Empolin. Në përfundim të sfidës, Berisha rezultoi një nga lojtarët më të vlerësuar në radhët e Empolit, nota 7: “E nisi sfidën me një mrekulli ndaj Nico Gonzales dhe po ashtu e mbylli, me një pritje fantastike”.
Si gjithnjë, titullar dhe 90-minuta në fushë, zbriti dhe Ylber Ramadani për Leccen, protagonist në pikën e marrë në transfertë përballë Udineses. Mesfushori kuqezi u ndëshkua me karton të verdhë gjatë pjesës së parë, por ky fakt nuk e pengoi të zhvillonte një sfidë shumë pozitive, i vlerësuar me notën 6,5, një nga lojtarët më të vlerësuar sipas mediave italiane.