Gjiganti finlandez i telekomunikimeve, Nokia, do t’i shkurtojë mes 9.000 deri në 14.000 vende të punës deri në fund të vitit 2026, për t’i ulur shpenzimet. Njoftimi është bërë pasi kompania ka regjistruar 20 për qind rënie në shitje në periudhën korrik- shtator.
Kompania ia ka atribuuar uljen, zvogëlimit të kërkesës për pajisje të gjeneratës së pestë të komunikimeve (5G) në tregjet e Amerikës Veriore. Aktualisht kompania i ka 86.000 punëtorë në gjithë botën, por e ka shkurtuar numrin e stafit qysh prej vitit 2015.
Nokia ka thënë se dëshiron t’i ulë shpenzimet mes 800 milionë euro deri në 1.2 miliard euro deri më 2026. Megjithatë, nuk ka treguar se cilët sektorë do të preken më shumë.