Në vazhdën e megaoperacionit antidrogë ‘Tempulli’, janë goditur edhe katër raste të tjera të shitjes dhe pësoedimit të lëndëve narkotike. Këtë herë bëjet fjalë për qytetin e Lezhës, ku 2 persona kanë përfunduar në pranga ndërsa 3 të tjerë janë vënë nën hetim.

Njoftimi i policisë:

“Si rezultat i veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Lezhë dhe Kurbin, referuar informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë konstatuar dhe goditur 4 raste të tjera në këtë fushë.

-Në Gjormë, Kurbin, nga kontrollet e kryera në lokalin e shtetasit F. Gj., shërbimet e Policisë konstatuan se ky ambient ishte përshtatur për përdorimin dhe shitjen e lëndëve narkotike. Në vijim, u kap në flagrancë në këtë lokal, me doza kokaine me vete, shtetasi G. Z., i cili nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për armëmbajtje pa leje dhe kanosje. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, u vunë në pranga shtetasit F. Gj., 29 vjeç, banues në Kurbin dhe G. Z., 50 vjeç, banues në Lezhë, si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, sasia e lëndës së dyshuar narkotike, kokainë.

-Për 3 raste të tjera, u referuan materialet procedurale në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit V. Z., 21 vjeç, A. D., 22 vjeç dhe A. Gj., 22 vjeç, të tre banues në Lezhë, pasi nga kontrollet në automjetet me të cilat lëviznin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndës të dyshuar narkotike cannabis sativa, të ndara në doza, të gatshme për shitje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Lezhë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.