Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen se ka kërkuar heqjen e masave të vendosura nga BE. Sipas saj Kosova është angazhuar maksimalisht për të ulur tensionet me Serbinë dhe për të normalizuar marrëdhëniet referuar sugjerimeve të aleatëve ndërkombëtarë.
“Në takim potencova edhe rëndësinë dhe nevojën e largimit të masave të vendosura ndaj Kosovës. Institucionet tona përgjatë muajve të kaluar kanë treguar jo vetëm angazhim konkret për shtensionim të situatës, por edhe përkushtim të plotë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me aleatët dhe partnerët tanë. Njëkohësisht, institucionet tona kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për të garantuar zgjedhje të reja e të lira por për fat të keq, adresa e këtyre pengesave vazhdon të mbetet në Beograd. Krahas sfidave kolektive globale, theksova se sfidat komplekse që po kalon Republika e Kosovës janë si rezultat i përpjekjeve destabilizuese të Serbisë. Vetëm në javët e fundit kemi qenë dëshmitarë të këtyre ambicieve të destabilizuese që rezultuan me aktin e agresionit kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator që u krye nga grupe terroriste, paramilitare të Serbisë.
Siç i shpreha von der Leyen, ne duhet të jemi të bashkuar për të refuzuar dhunën si mjet për arritje të qëllimeve keqdashëse të cilat minojnë edhe vetë vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE. Kosova është e përkushtuar për të respektuar Kushtetutën e saj e cila ofron të drejtat më të avancuara për komunitetet joshumicë jo vetëm në rajon por në të gjithë kontinentin tonë,” – u shpreh Osmani. Osmani i drejtoi dhe një thirrje Serbisë që të ekstradojë të gjithë personat që janë të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës.