Deputetët e opozitës, mbështetës të Rithemelimit të Sali Berishës mbledhin pasditen e sotme (27 tetor) Këshillin Kombëtar, vendim i cili vjen pas mbledhjes së kryesisë së partisë. Mësohet se në mbledhje do të diskutohet për mënyrën se si do të reagohet pas akuzave.
“Të nderuar anëtare të Këshillit Kombëtar, ditën e premte dt 27 tetor, ora 18.00 në selinë e PD do të mblidhemi për të diskutuar situatën politike dhe hapat që do të ndërmarrim në vazhdim”- thuhej në njoftimin e dhënë dy ditë më parë. Anëtarët e Kryesisë apo edhe të Këshillit Kombëtar kanë ide të ndryshme të reagimit pas ngritjes së akuzave nga Prokuroria e Posaçme kundër Sali Berishës në lidhje me privatizimin e kompleksit “Partizani”, raporton News24.
Gazetari Osman Stafa shprehet se një pjesë e tyre pretendojnë se nuk është duke u luftuar Sali Berisha por Partia Demokratike në tërësi. Berisha do të flasë me anëtarët e Këshillit Kombëtar me aksionin që pritet të nisë. Gazetari sqaron se bëhet fjalë për “një foltore” numër dy, pra një dialog me shqiptarët.
Kujtojmë se ndaj ish-kryeministri Sali Berisha, për privatizimit e kompleksit Partizani, Gjykata ka caktuar detyrim paraqitje dy herë në muaj para oficerit të Policisë Gjyqësore dhe bllokimin e pasaportës për të mos dalë nga vendi.
Sipas SPAK, ish-kryeministri me veprime konkrete ka ndikuar në miratimin e ligjeve apo akteve nënligjore të cilat u përshtatën me kërkesat e 5 pronarëve, mes të cilëve përfitues ishte dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ndërkohë, Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Berishën, pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish-kryeministrit, sipas SPAK, ka arritur të marrë përfitime të parregullta.