Në stadium ndodheshin një numër i konsiderueshëm tifozësh për të ndjekur nga afër këtë duel dhe në sy ka rënë një banderolë, mjaft interesante. “Kur je mirë, të dojn tan”, shkruhej aty. Një mesazh i tillë të bën të kuptosh se lojtari i 12-të i Kombëtares sonë nuk ka qenë me skuadrën vetëm në këto ditë të mira, kur jemi kaq afër “EURO 2024”, por ka qenë bashkudhëtare me ekipin edhe në periudha të vështira.
Ja disa prej momenteve më pikante të ndeshjes:
* Kombëtarja shqiptare e futbollit ka pësuar një ndryshim në orët e fundit para ndeshjes kundër Bullgarisë. Në fakt, më pak se një orë para fillimit të sfidës, FSHF njoftoi zyrtarisht se ka një ndryshim në radhët e skuadrës kuqezi. Nga institucioni i futbollit në vendin tonë njoftohet se portieri Elhan Kastrati ka kaluar një gjendje gripale dhe për këtë arsye nuk është i gatshëm për ndeshjen. Në vend të tij është ftuar portieri i Egnatias, Alen Sherri, i cili ka qenë një emër që ka provuar edhe më parë grumbullimet e Kombëtares. Ai ka luajtur vitin e kaluar në miqësoren ndaj Katarit, të organizuar me lojtarë kryesisht nga kampionati shqiptar.
* Shqipëria luajti këtë miqësore me uniformën e bardhë. Ndërkohë bullgarët ishin me uniformë vishnje.
* Shumë miqësor Jasir Asani. Gjatë nxehjes te pjesa e kornes, bisedon aty afër me disa tifozë.
* Edvin Murati, i pranishëm në “Air Albania”. Ish-mesfushori i Kombëtares ndjek nga afër miqësoren me Bullgarinë.
* 17 fotografë janë gjithsej në stadium për këtë miqësore.
* Tabela e reklamave në pjesën karshi nuk punonte.
* Edhe pse miqësore, Silvinjo sërish zgjedh të vishet me kostum. Gjatë fillimit të takimit, trajnerit i vjen një top që përpiqet ta ulë dhe në ato momente merr brohorima.
* Jasir Asani merrte brohorima sa herë prekte topin në zonën ku ai ka goditur dhe ka shënuar ata 3 supergola. Por, në këtë takim, anësori nuk pati mundësinë që të tentonte portën, pasi u bllokua nga mbrojtja rivale.
PANORAMA SPORT