Ndërkohë që na ndajnë pak orë nga ndeshja e futbollit mes Shqipërisë dhe Çekisë, policia e shtetit ka ndërmarrë një serë masash për mbarëvajtjen e procesit që do të zhvillohet në stadiumin Air Albania. Janë afro 1.700 efektivë të strukturave të ndryshme që do të jenë në gatishmëri për të ruajtur rendin dhe qetësinë si dhe për të evituar përplasjet e tifozëve përpara dhe gjatë zhvillimit të ndeshjes. Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka zhvilluar një takim me krerët e policisë dhe drejtuesit e Federatës së Futbollit . Ai ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë tolerim për ata tifozë që mund të cenojë sigurinë.
Dua të jem i qartë me sportdashësit dhe tifo-grupet, nuk do të tolerohen raste dhune dhe masat do të jenë drastike. Jemi duke studiuar që Policia të rimarrë sigurinë për ndeshjet e mëdha, për mbarëvajtjen e tyre në bashkëpunim me FSHF. Për të gjithë sportdashësit dua të përsëris thirrjen për të mos tentuar të hyjnë me lëndë piroteknike, të cilat sjellin dëmtime të imazhit të vendit. Të rritim vigjilencën para ndeshjes dhe gjatë kontrolleve.
Ndër të tjera Balla paralajmëroi se nëse do të ketë incidente me materiale piroteknike, ndeshja e radhës më 20 nëntor mund të zhvillohet edhe pa tifozë.
Kërkoj mirëkuptimin e gjithë tifozëve, qytetarëve dhe atyre që vijnë nga jashtë Shqipërisë, si Presheva, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i zi, apo dhe diaspora, të kuptojnë që mbërritja në stadium të mos jetë orën e fundit, por të jetë e shtrirë në 3 orët që paraprinë eventin për të bërë verifikimet e duhura. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit informoi mbi masat e detajuara, duke nisur nga kontrolli i ambienteve të brendshme të stadiumit. Ndryshe nga herët e tjera Policia ka marrë nën kontroll dyert e emergjencave. Nga ana tjetër policia rrugore do të bllokojë qarkullimin e mjeteve në akset rrugore në afërsi të stadiumit duke nisur nga ora 15:00.