Lot, dhimbjeje, frikë, zemërim, apo emocion. Ndonjëherë edhe nga gëzimi. Sipas studimeve të qash është më mirë, sepse çliron tensionin, por e rëndësishme është që të mos zgjasë shumë. Ajo që është e dukshme dhe tashmë e konfirmuar nga një studim i Universitetit të Pitsburgut, rezulton se burrat qajnë mesatarisht pesë herë më pak se gratë.
Arsyet pse meshkujt janë më pak të prirur për t’u emocionuar janë shkencore dhe kulturore. Nga pikëpamja biologjike, hormoni testosteron, tipik për meshkujt, mund të frenojë të qarën, ndërsa prolaktina, e pranishme në nivele më të larta te femrat, mund ta lehtësojë atë.
Për më tepër, është mjaft e qartë se ajo që i kufizon meshkujt nga shprehja e emocioneve është konteksti social në të cilin lotët konsiderohen joburrërorë. Në shumë kultura, e qara mashkullore konsiderohet një shenjë e fortë dobësie. Megjithatë, kjo tabu mungonte në epokat e kaluara historike. Në kohët e lashta, për shembull, e qara mashkullore konsiderohej si një simptomë e fisnikërisë së shpirtit, aq sa heronjtë, luftëtarët dhe njerëzit e shquar shpesh mallëngjeheshin pa turp.
Duke lënë mënjanë dallimet seksuale dhe duke analizuar të dhënat nga 37 vende anembanë botës, hulumtimi i botuar në revistën “Cross Cultural Research” zbuloi se, pavarësisht nga niveli i mirëqenies ekonomike, njerëzit qajnë shumë më tepër në kombet e pasura. Dhe studime të tjera vërtetojnë se, para adoleshencës, djemtë dhe vajzat qajnë njësoj që në moshë shumë të re.