Ish deputeti i PS-së dhe i LSI-së Spartak Braho është i bindur se të gjithë ata që kanë shkelur ligjin dhe abuzuar do të dalin para drejtësisë. Edhe Berisha, thotë Spartak Braho në intervistën për emisionin “Sot live në Shqipëri’ në Report Tv.

“Mos kini merak të gjithë do të shkojnë në gjyq. Berisha ka gjynahe jo vetëm për Gërdecin. Ka gjynahe të thella që lidhen me ngjarje të rëndësishme të 1992, 1996, 1997 grushtit shtetit. Janë një kategori e veçantë e personave që kanë drejtuar këtë vend dhe e kanë mbushur kupën me kohë. Duhet të jeni optimistë dhe opinioni ta kuptojë se të tërë do të kalojnë tek guri me vrimë. Të tërë do të përgjigen për shkeljen e ligjit’’ tha Braho për Report Tv.

Braho bën me faj Berishën se shkatërroi nocionet e shtetit.

“Ka shumë arsye pse opozita ndodhet në këtë derexhe. E kam thënë dhe e them PD nuk ka qenë asnjëherë parti, por një rrymë, një frymë, një lëvizje kaotike e nxitur dhe e mbështetur nga faktorë të brendshëm e të jashtëm por që nuk arriti asnjëherë të krijojë idenë e një force politike që punon për interesat e vendit. Ka qenë një forcë politike që është regjisore, aktore dhe realizuese që shkatërroi nocionet kryesore të shtetit. Këta prishën shtetin. E prishi ai që drejtoi PD-në dhe vazhdon të pretendojë se është në krye të PD-së. Qenë dhe paudhësitë e të majtës. Mos konseguenca e saj në mjaft veprime. Lodrat që u bënë nga ata që drejtuan të majtën për shumë vite”

Pse po hetohen më shumë të majtët?

Kanë qenë më shumë në pushtet. Do ta vlerësoja negativisht nëse do të heqtë.Gjynahet janë trashur shumë. Për mua s’ka rëndësi nëse je i majtë apo i djathtë. Jam optimist se SPAK monitorohet nga amerikanët. Nuk të fal. Të gjitha janë të regjistruara” thotë Braho në studio me gazetarin Nertil Agalliu.

Braho: Rama në pushtet edhe pas 2030 por PS të heqë dorë nga veset! I ka kapur euforia e naftës në Shpirag

Ish deputeti i PS-së dhe i LSI-së Spartak Braho parashikon që Rama të qëndrojë në pushtet edhe pas 2030. Shkaku? Opozita e dobët për të cilën dhe atë e bën përgjegjës.

“Tani kryetari i maxhorancës, si regjisor i madh i realizimit të intrigave politike e ka kthyer PD-në në një trupë estrade të tallet mileti. Bëhet Bardhi kryetari i grupit parlamentar (Qesh) Gaz Bardhi përfaqëson ata që sot po rrihen e shajnë njëri tjetrin dhe që do të vazhdojë gjatë. PD është e copëzuar. Nuk ka më bashkim. Ky është fati i Edi Ramës dhe i atyre që përbëjnë maxhorancën sot se do të qëndrojnë gjatë në pushtet” thotë Braho në intervistën për Report Tv.

Edhe përtej 2030?

Spartak Braho: Patjetër. Edhe më shumë se nuk kanë rivalitet.

Nuk mund të lërë mënjanë kritikat. Thotë se PS duhet të reformohet pasi po humb kontaktet me popullin dhe realitetin.

“PS duhet të modernizohet të heqë dorë nga disa vese që e kanë kthyer këtë forcë politike jo shumë popullore. Vendi po kalon probleme ekonomike shumë të forta. Këta nuk e dijnë se nuk shikojnë poshtë, çfarë bëhet me pensionistët. I ka mbërthyer euforia se kanë zbuluar naftën në Shpirag. Nafta në Shpirag është zbuluar më përpara nga gjeologët e naftës shqiptarë. Rama ti mbledhë e të marrin mendimin si duhet të veprojnë. Nuk i mbledh njeri. I shfrytëzojnë të tjetër por këtu nuk kujtohet njeri“ tha Braho.