Reshjet intensive kanë shkaktuar përmbytje në veri të Italisë. Stuhitë e përfshinë rajonin e Lombardisë, Milanon dhe Venecia. Disa rajone janë vënë nën alarmin e kuq, ku Veneto është më e rrezikuara.
Por në rrezik përmbytje janë edhe Emilia Romagna, Friuli Venezia Gulia, Liguria, Lombardia dhe Trentino Alto Adige. Dëme raportohen edhe në Toskanë. Në Versilia tornado ka shkulur çatitë e disa shtëpive, pemët dhe disa nënstacione elektrike u përfshinë nga flakët.
Linjat e transportit në Milano dhe dalje të stacioneve të metrosë janë përmbytur duke mbyllur disa prej tyre. Këshilltari Granelli raportoi se nivelet e Seveso janë ende shumë të larta prandaj pritet që përmbytjet të zgjasin për disa orë. Nënkalimi i Via Negrotto dhe ai i Via Rubicone janë përmbytur, por pritet të rihapen së shpejti, raporton Corriere.
Komunitetet e Parkut Lambro u evakuuan si masë paraprake, duke filluar me Eksodin e Don Mazzi-t.
“Në vend, së bashku me këshilltarin Granelli ishin ekipet e MM që hapën kapakët e pusetave menjëherë para përmbytjes, Policia Lokale dhe Amsa. Sipas parashikimeve, përmbytjet do të zgjasin disa orë, rekomandojmë qëndrimin në shtëpi”, ka shkruar në një postim kryetari i Bashkisë 9, Stefano Indovino.
Mbrojtja Civile e Lombardisë u ka komunikuar banorëve në zonat e prekura nga përmbytja e Seveso – përmes mesazheve me tekst dhe telefonatave celulare automatike me ata të regjistruar në shërbim – për të shmangur zonat e përmbytura dhe për të marrë masat rutinë në këto raste: mos dilni gjatë përmbytjeve, shmangni ashensorin, kufizoni përdorimin e telefonave celularë për të mbajtur linjat e lira dhe për të lehtësuar çdo operacion shpëtimi, mbani të përditësuar aplikacionet e motit. Ndërsa, parashikimi i motit tregon prirje drejt përmirësimit të reshjeve duke nisur nga sektorët perëndimorë.