Diskutimi në Komisionin e Ligjeve i nismës për të lejuar shitjen e produkteve me bazë kanabisin mjekësor, shërbeu që parlamentarët të ngrenë një tjetër shqetësim, atë të tullumbaceve me azot. Droga e re, e cila po reklamohet në masë në rrjete sociale, ka shqetësuar deputetët, të cilët si rrallë herë dolën nga llogoret politike përballë një fenomeni që po dëmton më shumë fëmijët.

Dhurata Çupi: Çfarë po bën sot Ministria e Shëndetësisë për tullumbacet me azot? Këto janë shqetësime që prekin sot familjet.
Entela Ramosaçaj, zëvendësministre e Shëndetësisë: Protoksidi i Azotit si bar mjekësor klasifikohet si substancë analgjetike që heq dhimbjen dhe jep efektin e narkozës dhe si i tillë është i lejuar vetëm të përdoret në spital. Bombolat që qarkullojnë me protokosid nuk janë të njëjta që përdoren në spitale. Pra, janë jo për përdorim mjekësor. Shpjegimi mjekësor i efekteve të kësaj droge shqetësoi edhe më shumë deputetët. Përballë mungesës së bazës ligjore që do të mundësonte ndërhyrjen e policisë, deputetët shprehën gatishmërinë edhe për nisma konkrete ligjore.

Dogjani: Këta kriminel që e nxjerrin këtë lëndë dhe i japim fëmijëve nëpër shkolla apo lokale po i vënë në narkozë këta fëmijë.
Xhixho: Policia shkon i sekuestron nëpër lokale dhe nuk ka bazë ligjore. Kjo është një situatë e cila është shumë e rënduar, shumë shqetësuese.

Bushka: Kuptohet krimi ecëm më shpejt se sa ecën e mira, se sa ecën shteti. Ne duhet të kuptojmë nga ju, jeni duke bërë diçka që në fund të marrim edhe nisëm ligjore vetë. Në fund, Komisioni i Ligjeve vendosi miratimin e nismës ligjore për lejimin e tregtimit të produkteve me bazë kanabisin mjekësor, ndërsa për çështjen e tullumbaceve me azot, u ra dakord që të merret më shumë informacion rreth situatës.