Janusz Bugajski, gazetar dhe njohës i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, në një shkrim autorial të botuar në portalin boshnjak “Istraga”, ka shkruar mbi sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit të banuar me shumicë serbe, ku u vra një zyrtar policor dhe dy të tjerë u plagosën.

Bugajski ka vlerësuar se sulmi terrorist ndaj Kosovës ka “shumë të ngjarë” të jetë i koordinuar ngushtë me Republikën Sërpska – entitetin serb në Bosnje dhe Hercegovinë – dhe me Rusinë, derisa ka shtuar se provokimet dhe aktet e dhunës mund të organizohen gjithashtu në Mal të Zi për të shpërqendruar më tej vëmendjen e Perëndimit.

“Qeveria e [Milorad] Dodik në Banja Llukë mund të ndjekë njëkohësisht axhendën e ndarjes përmes një referendumi të menjëhershëm, tërheqjes së të gjithë zyrtarëve serbë nga institucionet shtetërore boshnjake, krijimit të një kufiri me Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, vendosjes së paramilitarëve të armatosur dhe shpalljes zyrtare të pavarësisë”.

Ai ka thënë se provokimet e palës sesrbe shërbejnë për të vonuar dhe shkatërruar përfundimisht dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), ndërsa ka kritikuar përfaqësuesit evropiano-amerikanë rreth presionit ndaj Qeverisë së Kosovës për të themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Provokimet e rregullta shërbejnë për të vonuar dhe përfundimisht prishur çdo negociim të ndërmjetësuar nga BE-ja. Në të vërtetë, përgjegjësia i është vënë Prishtinës për të mundësuar themelimin e një ‘shoqate komunale’ serbe përpara se të vazhdojnë negociatat. Me fjalë të tjera, pritet të krijojohet një strukturë që do ta ndajë Kosovën”.

Ai ka potencuar se nëse forcat ushtarake të NATO-s në Kosovë (KFOR) nuk marrin masa për të ndihmuar Policinë e Kosovës në patrullimin përgjatë kufirit dhe çarmatosjen e të gjitha formacioneve kriminale dhe paramilitare në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë, atëherë Beogradi mund të arrijë në përfundimin se mund të ndjekë dhunë më intensive.

“Nëse forcat e armatosura të Kosovës nuk forcohen në një ushtri të rregullt më të madhe dhe të pajisur mirë që mund të mbrojë kufijtë e vendit dhe të nisë procesin e anëtarësimit në NATO, atëherë Beogradi do të vazhdojë të dërgojë, financojë dhe armatos grupet e paramilitarëve serbë pa u ndëshkuar”, ka konsideruar ndër të tjera Bugajski.

Ai ka përfunduar se skenari i “Serbisë së Madhe” do të kërkojë gjithashtu “dritën jeshile” nga Rusia, sepse sipas tij, ajo kërkon hakmarrje kundër Perëndimit për humbjet e saj masive ushtarake në Ukrainë, derisa Serbia do të mbështetet gjithashtu në “naivitetin” e zyrtarëve perëndimorë që menaxhojnë aktualisht Ballkanin Perëndimor.