Nga Andi Lila

Nga viti 1930, tek ftesa historike e FIFA-s për pjesëmarrje në një kampionat Botëror në Uruguay.
Që nga diktatura kur yje të futbollit shqiptar nuk luajtën dot në skuadrat më të mira të Europës, deri tek viti 1991 kur u hapën rrugët dhe futbollistët kaluan me anije Adriatikun ose ilegalisht në Greqi.

Nga viti i praptë 1997 ku Kombëtarja i zhvillonte ndeshjet jashtë Shqipërisë për shkak të luftës civile, deri tek stadiumi i vjetër Qemal Stafa që mbante emrin e një prej themeluesve të partisë komuniste shqiptare, asnjë lidhje me sportin!

Nga 17 shkurti 2008 kur Kosova mori pavarësinë deri tek fluksi i futbollistëve shqiptarë të Kosovës që do të luanin dhe do ti jepnin tonin dhe esencën ekipit kombëtar shqiptar. Nga fitorja në Portugali, deri tek ndeshja e Serbisë ku flamuri i Shqiptarisë u valëvit në qiellin me tym të Beogradit.

Që nga viti 2002 ku z.Duka president i FSHF, deri tek z.Duka zv.president i UEFA. (Beri revulucion ne futboll ne infrasktrukture dhe rezultate).
Nga kualifikimi historik në Euro 2016 ne Francë, deri tek skuadra aktuale e trajnerit Sylvinho.

Sa shumë ka ndryshuar historia e futbollit shqiptar afërsisht një shekull, mendoj që ajo ka shkuar shpesh herë ne sinkron edhe me jetën sociale, ekonomike, politike të vendit.

E bëra këtë hyrje me qëllim që të rikujtojmë kush ishim dhe ku po shkojmë, rrugën drejt Europës që e hapi gjenerata e artë me në krye trajnerin De Biasi dhe po avancohet nga performanca dhe rezultatet e shkëlqyera nga skuadra aktuale e udhëhequr më shumë profesionalitet, maturi dhe zgjuarësi.

Kjo skuadër që bind jo vetëm me rezultate por edhe me lojë, po reflekton jashtëzakonisht shumë pozitivisht edhe tek brezi i ri që po afrohen në akademi te futbollit (akademia Triumph) tani femijët kanë idhujt e tyre futbollistët e Kombëtares dhe duan të bëhen si ta. Nuk ka gjë më pozitive për një vend sesa femijët të kenë idhuj sportistët, nuk është e thënë që të gjithë do të bëhen futbollistë por të paktën nëse merren me sport nesër do bëhen njerëz të shendetshëm, jo vetem në trup por dhe në mendje, larg veseve dhe varësive të shemtuara që po e rrezikojnë seriozisht rininë tonë.
Kualifikimi pothuajse i arritur i Kombëtares po na jep të gjithëve një shpresë të madhe sesi duhet të veprojmë në çdo fushë që Shqipërinë ta bëjmë ashtu si ne duam të jetë, Shqipëria që ne rrisim fëmijët tanë në këtë vend të begatë që Zoti na e fali.

Sot fitoret e Kombëtares dhe suksesi i saj është si një bashkim kombëtar, si ai bashkim që lutoi Skënderbeu, themeloi Ismail Qemali, sakrifikoi bashkë me familjen legjendari baca Adem Jashari dhe ëndërrojme ne, brezi që do ta nderojmë Shqipërinë tonë të përbashkët.