Analisti Mentor Nazarko, në një intervistë për ABC News, duke komentuar samitin e Procesit të Berlinit që po mbahet këtë të hënë në Tiranë, tha se një ndër arsyet e organizimit në kryeqytetin shqiptar, është se Shqipëria shihet si një vend ku mund të investohet diplomatikisht dhe politikisht.
“Në kushtet apo në kontekstin kur Ballkani është duke vuajtur një marrëdhënie konfliktuale mes Kosovës dhe Serbisë, plagë që mbetet e hapur ndonëse ka një proces dialogu, në kushtet kur kemi ngjarje si ajo e Banjskës në kufijtë e agresionit, një Shqipëri që ka marrëdhënie të mira me Kosovën, Maqedoninë e Veriut, me Malin e Zi, normale me Serbinë, është një vend që ku mund të investohet diplomatikisht, politikisht dhe të shpallet si qendër mikpritëse për një samit si ky. Ky është kuptimi i njërës prej arsyeve se pse është zgjedhur Tirana. Do të shtonim edhe të tjera, fakti që Shqipëria është shteti amë i shqiptarëve që jetojnë në 4 shtete fqinj. E treta mund të shtojmë dhe faktin se Shqipëria ka qenë një ndër shtet organizatore të Ballkanit të Hapur.”, theksoi Nazarko. Sipas tij, Rama po përdor një gjuhë kritike ndaj Kosovës për t’i përcjellë mesazhin e BE-së por në shqip.
“Dasma ka harxhet e veta. Nuk mund të afrohesh vende me standarte të ulëta jetese. Nuk mund t’i përfshish në një shtëpi të madhe evropiane me 27, pa arritur atë që quhet proces konvergjimi. Investimi në këto projekte infrastrukturore do të rrisë ekonominë e vendeve tona dhe mirëqenien e individëve dhe ky është dimensioni më i rëndësishëm i procesit të Berlinit. Pra një tryezë ku vendet e Ballkanit ulen me ato të BE-së me status të barabartë. Ky ishte një forum ku u shkëmbyen ide të tilla dhe Tirana konsolidoi rolin e saj si një lloj fuqie rajonale. Kështu shpjegohet se pse Rama, me një kosto deri diku të brendshme, po përdor gjuhë kritike ndaj Kosovës që t’i përcjellë klasës politike në kosovë mesazhet e Perëndimit por në shqip.”, shtoi ai.
Nazarko shtoi se nëse do të ishte prezent presidenti francez, Emmanuel Macron do të kishte hapësirë për një takim dypalësh Kosovë-Serbi.
“Unë besoj se është folur për dialogun Kosovë-Serbi, nëse hipotezojmë, nëse do ishte edhe presidenti Macron i pranishëm, mund të kishte hapësirë, që të kishte një takim dypalësh, pavarësisht se Serbinë e përfaqësonte kryeministrja Bërnabiç, e cila nuk ka peshë në arkitekturë institucionale serbe. BE, për hir të së vërtetës ka dështuar në procesin e dialogut nga 2013 e këtej, 2013 është fitmosja e asaj marrëveshje të famshme Thaçi-Daçiç, nuk kemi përparim, madje kemi kthim mbrapa, para 2013, në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. BE do ishte i uritur që të kishte një sukses edhe fotogtrafik në një takim mes Kurtit dhe Bërnabiçit. Nuk e mohoj atë që duhet të ketë patur përpjekje, ndoshta janë ngrirë, ndoshta për shkak të gatishmërisë së Kurtit, ndoshta për shkak të faktit që nuk është Macron. Këtë nuk di ta them, kjo është një pjesë e pazbuluar”, theksoi ai.