Atletico Madrid po kalon një moment shumë të mirë, me skuadrën e Simeone-s që ka fituar 5 nga 5 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, ndërkohë që madrilenët kanë nisur të ngjiten edhe në klasifikim sa i përket kampionatit spanjoll, La Liga.
Në takimin e fundit, atë ndaj Sociedad në “Metropolitano”, Atletico triumfoi 2-1 dhe regjistroi fitoren e 13-të radhazi në shtëpi në elitën e futbollit spanjoll. Megjithatë, jo vetëm kaq, pasi me suksesin ndaj skuadrës baske, “Los Colchoneros” koleksionuan fitoren e 14-të në shtëpi në vitin 2023, si askush tjetër në “Kontinentin e Vjetër”.
Ky vit nuk nisi aspak mirë, me Atletico-n që u mposht në “Metropolitano” përballë Barcelona-s më 8 Janar, ndërsa kthesa nisi me suksesin ndaj Valladolid.
Pas këtij triumfi u regjistrua edhe ndalesa tjetër, barazimi ndaj Getafes, skuadra e fundit që ka marrë pikë në Madrid, ndërsa më pas, në fortesën e Atletico-s janë dorëzuar të gjithë si, Bilbao, Sevilla, Betis, Sociedad apo edhe Real Madrid.
Bilanci i përgjithshëm për këtë vit është 16 ndeshje, 14 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, me 41 gola të shënuar dhe vetëm 12 të pësuar.
Sa i përket Europës, pas Atletico-s renditet Manchester City, Barcelona dhe Manchester United me 13 fitore gjatë këtij viti.
Pas pauzës së kampionatit, Atletico Madrid do të presë në shtëpi Dep. Alaves dhe nëse fiton do të barazonte ecurinë me 14 fitore radhazi të regjistruar në periudhën Maj 2012 – Prill 2013, po me Simeone-n në stol.
Ekipet me më shumë fitore në kampionate në vitin 2023:
Atletico Madrid: 14 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje
Manchester City: 13 fitore, 0 barazime dhe 0 humbje
FC Barcelona: 13 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje
Manchester United: 13 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje
Real Madrid: 12 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje