Nga Ylli Pata
Dihej që nuk do të shpëtonte “filli shqiptar” i trajtimit të çdo ngjarje tragjike siç është një luftë apo një dramë e rëndë.
Është provuar se edhe në situata të rënda, si ajo e 1997-s, në Tiranë nuk mungojnë kurrë “mjeshtrat” që e kthejnë në tragjikomenti, edhe një kob të frikshëm. E kthejnë në parodi, një dramë që për shumicën e njerëzve është vuajtje e fatkeqësi.
Sidomos raste të tilla si lufta në Izrael, ne nuk mungojmë t’i kthejmë në debate, apo gara për gjithologë e gjeopolitologë, strategë e mitomanë, që sidomos në Tiranë i gjen me shumicë.
Megjithatë, orët e para të tragjedisë së tmerrshme të Izraelit, ishin mjaft dramatike në rrjetet kryesore të Tiranës.
Në mënyrë të çuditshme u shpërndanë disa video të prodhuara nga Hamasi, ku në të shumtën e tyre ata ishin propagandë e pastër, e me shumë gjasa edhe fake nevvs.
Por ato që i shpërndanë, nuk harronin të shtonin mesazhin se kjo nuk është luftë e Shqipërisë, e Tirana zyrtare nuk duhet të merrte anën e Izraelit.
Por edhe pse pati një viralitet në këtë propagandë, ajo nuk ngjiti, e nuk kishte si ngjiste. Madje siç ndodh shpesh, pasi shqiptarët përgjithësisht janë të vëmendshëm ndaj zhvillimeve në mediat botërore, u përgjigjën duke bërë të ditur se ato video ishin propagandë e njëanshme.
Ndërkaq, politika e Tiranës dhe e Prishtinës nuk vonuan të tregonin qëndrimin e tyre të qartë kundër terrorit e duke dënuar Hamas. Ky qëndrim dekurajoi mjaft qarqe të ndërmjetme që shërbejnë si sandvvich kryesisht në Kosovë, në grupimet e rëndësishme politike.
Tjetër zhvillim mjaft i rëndësishëm, është edhe qëndrimi në Maqedoninë e Veriut. Ku siç dihet ekzistojnë qarqe islamike që herë pas here kanë tentuar të hyjnë në politikë. E ku ekzistojnë mjaft organizata të lidhura me Lindjen e Mesme, madje edhe me Palestinën. Në një incident që ndodhi në Gaza disa vite më parë, në një anije që dërgonte ndihma atje, e u sulmua nga IDF-ja izraelite, kishte mjaft ekuipazh prej shqiptarëve të Maqedonisë. Por një zyrtar i rëndësishëm i Maqedonisë së Veriut, i emëruar nga BDI-ja e Ali Ahmetit ka takuar një akademik izraelit dhe jo vetëm ka dënuar sulmet terroriste, por edhe ka shprehur mbështetje e solidaritet me shtetin hebre.
Skënder Asani është Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, një institucion identitar që ka dhënë një mesazh të rëndësishëm politik. Duket qartë dora e një mjeshtri të vjetër si Ali Ahmeti për lëvizjet e tij.
Ndërkaq, përveç mungesave të dilemave politike që duket se është një sinjal i mirë, një tjetër zhvillim që është tashmë një fenomen, është trajtimi i krizës dhe i zhvillimeve në Lindjen e Mesme në panelet televizive.
Ku si gjithmonë, situata shpesh merr trajtat e parodisë dhe “ekspertëve” të vetshpallur, të cilët paralajmërojnë gjëma të mëdha e lufta botërore, por edhe parashikime fantazmagorike, që të kujtojnë kohën e sulmit rus mbi Ukrainën, ku panelistët vinin past se do të shkatërrohet ai vend brenda 20 orësh. Ja ku jemi këtu, e profetët, jo thjesht nuk kanë qëlluar gjë, por ja kanë futur kot. Ndërkohë, që “ekspertët ushtarakë”, me ditirambet ndaj aftësive militare të militantëve të Hamasit, të kujtojnë personazhet e kolonelit Martin te Zhos Profesionisti, apo kolonelit Sam te Rambo. Të cilët, ngaqë kishin stërvitur personazhet kryesore që ishin agjentë special u thonin krerëve të politikës se ata do t’i vrasin të gjithë.
Ndërkohë, thjesht po të lexosh mediat serioze perëndimore apo të dëgjosh analizat e televizioneve më të rëndësishme, merr mjaft të dhëna jo vetëm për luftën, por edhe shkaqet e pasojat e saj, nga njerëz që janë ekspertë me të vërtetë. Pasi këtë ekspertizë e kanë punë dhe çdo ditë dtudiojnë dhe ndjekin informacione të dorës së parë, e dinë t’i lexojnë me mjaft kujdes. Kurse këta tanët, jo vetëm që s’i dëgjojnë e lezojnë, por edhe thonë se të gjithë ja fusin kot, e këta kanë të drejtë. Megjithëse s’ju ka dalë asnjë gjë. Po kujt t’i thuash? Shiko Manushin, që përsërit në çdo emision se Fred Cakos i kanë dalë të gjitha…