Tërmeti shkatërrimtar i vitit 2019 me epiqendër në Durrës, që shkaktoi 51 të vdekur dhe 3000 të plagosur, dhe dëmet e shkaktuara u vlerësuan 1.1 miliardë euro, po forcon përditë e më shumë zërat për sigurimin nga katastrofat. Në konferencën e fundit për tregun e sigurimeve, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete tha se vlerësohet i domosdoshëm përcaktimi i mekanizmave të mbrojtjes dhe transferimit të rrezikut: :Ndaj me mbështetjen e Bankës Botërore po shqyrtojmë opsionet më të mira për zhvillimin e një program kombëtar për sigurimin dhe tërmetet”. Por çfarë mendojnë ekspertët e fushës së ndërtimit në lidhje me këtë zhvillim? “Zakonisht ne i nisim gjërat nga fundi, dhe duke qenë kështu, sigurimit të detyrueshëm i erdhi radha të parit. Por nuk është puna e sigurimit, pasi në rast fatkeqësie natyrore, po flasim për katastrofat, nuk ka kompani sigurimi që të mbulojë dëmet, shkon në kolaps.

E mira është që ky sistem të mos shkonte në kolaps, duke parandaluar që në hapat e para të projektimit. Sot ne përballemi me një babëzi, kërkohen sa më shumë metra katrorë tek një tokë, çfarëdo që të jetë ajo tokë, sidomos nëse është tokë në një zonë të mirë të lakmuar. Por ndëtesa është strukturë inxhinierike dhe duhet që njerëzit përgjegjës për këtë strukturë, duke nisur që nga projektuesit, te zbatuesit, supervizorët, drejtuesit teknikë, duhet të funksionojnë shumë mirë dhe të ketë garanci që këta japin një product shumë të mirë”, shpjegon inxhinieri i ndërtimit, Dr. Luan Murtaj. Sipas tij, ot pranohet botërisht që nuk vret tërmeti, por janë njerëzit që vrasin.

“Nëse i referohemi Greqisë, një vend fqinj me aktivitet sizmik të lartë, mund të them që ndryshimi me ne është shumë i madh. Ata kanë një mentalitet që nuk ka lidhje me mentalitetin shqiptar. Po të shikoni si ndërtohet në Greqi dhe rregullat që ndjekin ata, do kuptosh që një grek nuk e prish vendin e vet, edhe po ta paguash, ndërsa ne shqiptarët e prishim falas, nuk ka nevojë të na japësh lekë”.